Një dokument i plotë mbi projektin e Ujësjellësit të Tragjasit ka nxjerrë në pah të dhëna që bien ndesh me informacionin e dhënë më parë për banorët e fshatit mbi ndikimin e këtij ujësjellësi.
Dokumenti, i lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, tregon se prurjet e ujit nga viti 2018 deri në vitin 2022 janë rritur nga 740 litra në sekondë në 870 litra në sekondë, ndryshe nga çfarë u ishte thënë banorëve se burimi i ujit ishte në rënie.
Analizat konkrete, sipas këtij dokumentit, tregojnë se prurjet janë të mjaftueshme për të mbuluar jo vetëm furnizimin me ujë të fshatit Tragjas për 24 orë në ditë, por edhe nevojat bujqësore të zonës dhe të industrisë së turizmit.
Në dokument thuhet se “diferenca e prurjes minimale prej 270 litra/sekondë është e mjaftueshme për të ruajtur mjedisin përreth si prurje ekologjike dhe për të siguruar vaditjen e tokave bujqësore të fshatit Tragjasë”.
Dokumenti gjithashtu citon qëndrimin e oponencës së Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i cili rekomandon se “në rast se prurja mund të ulet, përparësi duhet t’i jepet kaplazhit që përdoret aktualisht për furnizimin me ujë të fshatit Tragjasë dhe Rradhimës, që shfrytëzojnë burimin e Izvorit”.
Ky detaj nënvizon se edhe në rast të një uljeje të prurjeve, do të ketë një prioritet të qartë për të siguruar furnizimin me ujë të banorëve.
Dokumenti u është mbajtur i fshehtë banorëve deri tani dhe publikohet vetëm pasi Kryeministri sqaroi situatën, duke garantuar se projekti nuk kishte të bënte aspak me lënien pa ujë të banorëve të Tragjasit për të furnizuar himariotët.
Plani hedh dritë plotësisht se si do të zbatohet ndërtimi dhe implementimi praktik pas përfundimit të ujësjellësit dhe hedh poshtë pretendimet e disa individëve që organizuan protesta të banorëve, të cilët synojnë të pengojnë furnizimin me ujë të pijshëm të zonës më të frekuentuar bregdetare të Shqipërisë, ndonëse pjesa më e madhe e ujit të burimit të Izvorit do të lihej të përfundonte në det.
Tv Klan