Një marrëveshje huaje mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian është depozituar në Kuvend si mbështetje për reformat në vlerën e 657 milionë Eurove. Kjo marrëveshje do të shoqërohet edhe nga një grant në shumën e 264.6 milionë Eurove sipas dokumentit të publikuar së fundmi.
Referuar relacionit, objektivi i përgjithshëm i këtij programi është çlirimi i potencialit ekonomik të vendit, përmes stimulimit të transformimit ekonomik dhe përmirësimit të klimës së biznesit, për t’u pergatitur gradualisht në tregun e vetëm të BE-së.
Gjithashtu, këto fonde do të ndihmojnë në përshpejtimin e reformave dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike. Njëkohësisht pritet që investimet e mbështetura nga këto fonde të Bashkimit Europian do të kontribuojnë në konsolidimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes reformave në arsim dhe në tregun e punës.
Në realizimin e programit janë përfshirë disa ministri dhe institucione të ndryshme, duke siguruar një bashkëpunim të ngushtë për të garantuar efektivitetin dhe përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian në procesin e integrimit të vendit tonë.
Projektligji i propozuar është hartuar nga struktura përkatëse pranë Ministrisë së Financave. Objektivat strategjike kombëtarë për integrimin evropian përcaktohen në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrimin Evropian 2022-2030.
Kjo iniciativë e re zhvillimore do të ofrojë mundësinë për mbështetje financiare, deri në 6 miliardë Euro për periudhën 2024-2027, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Klan News