Moti kryesisht i thatë që shoqëroi 2024 në Shqipëri ndikoi edhe në prodhimin e energjisë elektrike. INSTAT raporton se gjatë vitit të shkuar prodhimi neto i energjisë elektrike pësoi një rënie me 10,9 %.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 52,1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41,4 % dhe nga të tjerë prodhues në masën 6,5 %.
Konkretisht hidrocentralet publike prodhuan 4085 Gigavatorë nga 5123 Gigavatorë të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 20,3 %. Hidrocentralet private prodhuan 3245 Gigavatorë nga 3582 Gigavatorë të prodhuar një vit më parë, duke shënuar një rënie me 9,4 %.
Por moti i kryesisht i thatë ka ndikuar pozitivisht në prodhimin e energjisë nga dielli. Kështu, INSTAT bën të ditur se energjia e prodhuar nga fotovoltaikët arriti vlerën e 507 Gigavatorëve nga 90 Gigavatorë që u prodhua në 2023, duke shënuar një rritje me 5,6 herë.
Por ndërsa energjia e prodhuar vitin e shkuar shënoi rënie, konsumi i saj pësoi rritje. Sipas INSTAT përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë gjatë 2024 u rrit me 9,4 %, ndërsa nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 1,4 %.
Tv Klan