Kombëtarja shqiptare, do të përballet mbrëmjen e kësaj të marte, me Gjeorgjinë, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Për këtë përballje, në emisionin “Rudina” në Tv Klan, foli komentatori Alban Xhihani në një lidhje direkte nga stadiumi “Air Albania”. Xhihani u shpreh se gjeorgjianët janë si një “mace e zezë” për kuqezinjtë, për shkak të së kaluarës.
Sipas tij, shtatori shpesh ka qenë muaj që i sjell fat Shqipërisë, referuar rezultateve nga e kaluara.
“Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Ne historikisht në shtator e kemi nisur mirë, ky muaj na sjell fat. Sot mbushet një vit nga fitorja me Poloninë, në shtator kemi mundur Greqinë, Portugalinë. Duhet përqendrim maksimal ndaj Gjeorgjisë, që ka një rritje të madhe. Ka një yll brenda skuadrës që luan me Napolin, Kvaratskhelia, që do të provojmë ta ndalim.
E kemi pasur si mace të zezë Gjeorgjinë. Nuk ndeshemi me ta që nga 2004-2005, në takime zyrtare, por ato miqësore nuk na kanë sjellë fat. Djemtë dhe Silvinjo kanë treguar që gjatë këtij rrugëtimi, është skuadra që ka thyer tabu, ka mundur Çekinë, Ukrainën dhe mund t’i prishim statistikat.”, tha ai.
Xhihani deklaroi se stadiumi i mbushur plot jep shpresë, ndërsa deklaroi se kërkesat për bileta janë të shumta. I pyetur për formacionin, ai theksoi se Silvinjo është hermetik në dhënien e informacioneve, por shtoi se pritet të zbresin në fushë, të njëjtët lojtarë si me Ukrainën.
“Më mbush plot me shpresë fakti që stadiumi është mbushur plot e përplot. Isha pak skeptik, por telefoni im po çahet nga mesazhet për bileta. Unë nuk shes bileta, por njerëzit shpresojnë të gjejnë bileta.
Biletat janë të ezauruara që pas golit që shënoi Jasir Asani ndaj Ukrainës. Aty janë shitur të gjitha biletat. Goli i Jasir Asanit ka bërë punën e tij dhe do të kemi një stadium përplot.
Formacioni? Është hermetik Silvinjo, lojtarët e marrin vesh kur vijnë këtu formacionin. Kështu ka qenë në Europian. Ne do ta mësojmë zyrtarisht pothuajse 2 orë para ndeshjes dhe mendoj se do të jetë i njëjti formacion që zbriti në fushë para Ukrainës. Skuadra fituese, konfirmohet.”, deklaroi Xhihani.
Ndeshja Shqipëri-Gjeorgji, do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan, nën komentin e Alban Xhihanit.
/tvklan.al