Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e nisi me komunat shqiptare, Tuzin e Plavë- Gucinë, vizitën zyrtare dyditore në Malin e Zi.

Në Tuz, Presidenti Begaj vendosi një kurorë me lule në monumentin e Skënderbeut, të vendosur në këtë shesh më 28 Nëntor të vitit të shkuar për festën e flamurit dhe u përshëndet me qytetarët.

Më pas zhvilloi një takim me drejtues të Tuzit dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve me të cilët diskutoi për forcimin e pozitave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe rajon.

Ndërsa në takimin me veprimtarët shqiptarë të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës, pasi u njoh me problematikat që ata hasin, theksoi nevojën e gjetjes së rrugëve për të ruajtur dhe forcuar identitetin shqiptar përballë çdo lloj sfide, siç është emigrimi apo asimilimi i shqiptarëve autoktonë.

“Çështja kombëtare, duhet të dominojë mbi çdo interes politik, për faktin se është më e rëndësishme dhe gjithashtu duhet të punojmë fort të mbrojmë gjuhën shqipe. Interesi ynë i përbashkët është që të mbrojmë ADN- në tonë dhe ADN-ja jonë është e lidhur me gjuhën. Ju thatë se askush nuk është i ndalur në shkollë që të mësojë shqip, por duhet që ne të promovojmë më shumë, të trashëgojmë më shumë, të kultivojmë më shumë. Kjo arrihet me kontributin e çdo individi shqiptar që jeton këtu, fëmijë, të rinj, të rritur, pleq të mençur, të cilët duhet të bëhen bashkë për atë që është e rëndësishme për ne”.

Presidenti Begaj, premtoi shqiptarëve në Mal të Zi se ata do të kenë gjithmonë vëmendjen e shtetit shqiptar.

Klan News