Anglia fillon një epokë të re nën drejtimin e Thomas Tuchel. Këtë të premte, gjermani do të publikojë edhe listën që do do të ketë të gatshëm për sfidën debutuese në stolin e “Tre Luanëve” kundër Shqipërisë.

Tuchel, i cili ka nënshkruar një kontratë 18-mujore deri në Kupën e Botës 2026 e nis rrugëtim e tij në kualifikueset e këtij kompeticioni me ndeshjen ndaj kuqezinjve.

Rreth 55 futbollistë kanë qenë në listën e ngushtë të atyre që gjermani ka vëzhguar në këtë periudhë, por vetëm gjysma prej tyre do të gjejnë vend në listën finale.

Tifozët janë optimistë për ecurinë që Kombëtarja do të ketë nën drejtimin e Tuchel, të cilit deri diku i lejohen edhe eksperimentet. Shkak bëhet fakti që 51-vjeçari debuton pa kryer asnjë test miqësor.

Marcus Rashford është emri që intrigon më shumë për të qenë sërish pjesë e listës. Sulmuesi ka gjetur ritmin te Aston Villa, ndërsa shihet favorit për faktin që Jack Grealish dhe Phil Foden nuk po kalojnë formë të mirë fizike.

Surprizë mund të konsiderohet edhe Adam Wharton nga Crystal Palace. Mesfushori ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve në këtë sezon, duke u monitoruar edhe nga Tottenham e Manchester City.

Edhe performanca e dyshes së Arsenalit, Nwaneri dhe Lewis-Skelly janë në mesin e kandidatëve për të qenë kundër Shqipërisë. Anglia është shortuar në grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026 dhe përpos Shqipërisë e Letonisë janë së bashku me Serbinë dhe Andorrën.

Vetëm skuadra e parë në grup kualifikohet automatikisht në finalet e Kupës së Botës 2026, me nënkampionin që kalon në raundet play-off.

Klan News