Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u deklarua i pafajshëm për dyshimet që ka ngritur SPAK ndaj tij se shpërdoroi detyrën gjatë dhënies së koncesionit të inceneratorit të Tiranës.
Nëpërmjet avokatit të tij, ish-ministri tha se në asnjë shkresë të Prokurorisë së Posaçme nuk individualizohen veprimet që ka kryer ai në shkelje të detyrës.
Sipas mbrojtjes, Koka ka vepruar në zbatim të ligjit dhe se episodet e konsideruara nga hetuesit si fakte penale në procedurën e koncesionit nuk lidhen me detyrën e tij funksionale.
Duke vlerësuar se nuk ka vepër penale të kryer prej tij, mbrojtja kërkoi shpalljen të pafajshëm të ish-zyrtarit.
Gjykata e Posaçme dëgjoi këtë të enjte të pandehurit të cilët po i gjykon të gjithë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në 7 Shkurt, SPAK kërkoi dënimin e tyre me 26 vite burg në total, duke argumentuar se në bashkëpunim me njëri-tjetri dhe në dijeni të ish-minstrit kanë favorizuar kompaninë fituese të koncesionit.
Për inceneratorin e Tiranës u dënua me 4 vite burg edhe ish-deputeti Alqi Bllako.
Ish-ministri Koka është dënuar më herët për procedurën koncesionare të inceneratorit të Elbasanit me 6 vite e 8 muaj burg, ndërkohë dosja për inceneratorin tjetër, atë të Fierit u kthye për rigjykim nga Apeli 2 muaj më parë.
Tv Klan