Një tjetër parti që ‘shkëputet’ nga koalicioni opozitar “Për një Shqipëri Madhështore”.
Aleanca Arbnore Kombëtare ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për tërheqjen, me argumentin se “nuk kanë funksionuar marrëdhëniet me këtë koalicion”.
Por jo vetëm kaq! Kjo parti është tërhequr nga çdo aktivitet elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. “E bëjmë këtë kërkesë-deklaratë për t’u çliruar nga çdo detyrim që rrjedh nga pjesëmarrja në zgjedhje”, thuhet në shkresën që mban firmën e Gjet Ndoj (Kryetari i AAK).
Më poshtë, shkresa drejtuar KQZ-së:
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, nga koalicioni (që në nisje pati 26 parti) iku Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian.
“Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) njofton tërheqjen nga koalicioni zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Në këtë kuadër ju kërkojmë të çregjistroni emrin e partisë sonë nga ky koalicion”, thuhej në letrën dërguar KQZ, nga Vasil Sterjovski.
Tanimë, ky koalicion që udhëhiqet nga PD dhe Sali Berisha ka mbetur me 24 parti.
/tvklan.al