Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është kthyer në Prishtinë sot me leje të Gjykatës Speciale. Ai ka mbërritur në QKUK, ku po e viziton babanë e tij të shtruar në një nga klinikat e spitalit.
Thaçi është shoqëruar nga policia në momentin e vajtjes në spital.
Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha raportoi se para QKUK-së ka forca të shtuara të policisë dhe Eulex-it ndërsa edhe interesi i mediave e njerëzve është shumë i lartë.
Deri më tani nuk ka detaje se sa do të qëndrojë Thaçi në Prishtinë.
Kjo është hera e katërt që Thaçi ka bërë kërkesë për t’i mundësuar një vizitë humanitare për babain, i cili është në gjendje të rëndë në spital.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara Michael Doyle, tha për mediat në Kosovë se vizita u lejua për arsye humanitare.
“Po mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, thuhej në përgjigjen e tij.
Hashim Thaçi është duke u gjykuar nga Gjykata Speciale në Hagë së bashku me Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin me akuza të rënda për krime të kryera gjatë luftës, të cilat ata i kanë mohuar me forcë.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./tvklan.al