Jo vetëm koalicioni më i fuqishëm në 3 dekada pluralizëm, por për Sali Berishën “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është formacioni politik më elitar dhe përfaqësues, përmes të cilit synon fitoren në zgjedhjet e 11 Majit.
“Ky është koalicioni i transparencës, i burrave dhe grave, i djemve dhe vajzave që i njohin shqiptarët, që i vlerësojnë shqiptarët. Një koalicion që përfaqëson të gjithë interesat, shtresat, komunitetet e ndryshme të këtij kombi”, tha Berisha.
Edi Ramën e akuzoi si armikun më të egër të kombit, duke e shënjestruar si grabitësin e pasurive të shqiptarëve në 3 mandate qeverisje.
“Nuk u tregon dot shqiptarëve një arritje, nuk u përmend dot tunelin e Llogarasë, sepse shkruhet 50 milionë të vjedhura me një dorë. Nuk flet dot për Unazën që e mbylli përsëri, sepse 13 kilometrat e fundit i ndau në 14 kontrata. U thoshte pensionet, rrogat, dhe tani në qoftë se rritet pensioni minimal aq, Shqipëria bie në katastrofë.”
Në themel të programit ekonomik të “Shqipërisë Madhështore” thotë se është rimëkëmbja e vendit, që nis me paga e pensione dinjitoze dhe ulje të taksave e shërbimeve që në 3 muajt e parë të mandatit qeverisës.
“Me zotimin solemn që 3 muajt e parë nuk do ketë shqiptar që nuk do marrë 200 Euro minimum jetik. Se rrogë minimale nuk do ketë nën 500 Euro. Se rrogë mesatare nuk do ketë nën 1200 Euro. Nafta s’do jetë asnjë qindarkë më e shtrenjtë se në Kosovë. Energjia do të ulet, do të jetë 7 Lekë. Për biznesin, do të jetë 6 Lekë.”
Ironisë së Edi Ramës për kandidatët e koalicionit të tij Sali Berisha iu kundërpërgjigj me batuta.
“Pala tjetër, paraqet hardhucë, bretkosa, zhapa dhe tani i kanë ngelur në gojë….Ku je Kujtim? Jepja ato mustaqe, se çmendet pas mustaqeve të tua. Ti Kujtim se unë e ti e njohim nga ana psikologjike dhe ja di arsyet pse e ka atë.”
Akuzat në adresë të kryeministrit i vijoi edhe në një dalje përpara medias teksa tha se Rama po lufton për mbijetesë pas 11 Majit.
“Do jetë apo nuk do jetë në listën e kandidatëve, atë e përcakton. Po se ku do të jetë pas 11 Majit, atë e përcaktojnë shqiptarët, dhe shqiptarët ia kanë pre biletën atij. Edi Rama po lufton për mbijetesë pas 11 Majit.”
Për herë të pare, Berisha foli për sinjale “nën rrogozë” nga kreu i qeverisë për të bashkuar votat me Partinë Demokratike me qëllim shkrirjen e SPAK-ut.
“Në burimet diplomatike dhe në burime të tjera është ngritur kjo çështje të përpjekjeve të tij për të bashkuar votat me PD, dhe kjo nuk mund të ndoshte. Se unë veprimin e kam shpjeguar pse e kam. Nuk kam që të le vendin pa një institucion akuze, kurrë. Për një reformim dhe një institucion akuze për një vend të lirë, siç duhet të jetë një vend i lirë. Po, e ke parasysh ti, ai tha: po më luten! Unë po i lutesha atij?! Por po t’i lutesha unë, i bënim ato. Unë s’e kam thënë ndonjëherë atë. Ai është lutur, por dështoi.”
Kryedemokrati mohoi të kishte një listë finale kandidatësh për deputetë, teksa ritheksoi se Kryesia do “vulosë” vendimarrjen e Anëtarësisë, duke premtuar përfaqësi edhe të diasporës.
Edhe një herë, iu rikthye protestës së thirrur në 15 Mars pas mbylljes për 1 vit të aplikacionit TikTok duke e cilësuar vendimin e qeverisë akt censure ndaj fjalës së lirë.
Tv Klan