Këtë të hënë Partia Demokratike prezantoi “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” që do të hyjë në zgjedhjet e 11 Majit. Kreu i demokratëve, Sali Berisha gjeti vendin t’i përgjigjet kryeministrit Edi Rama i cili e ka konsideruar këtë koalicion si “produkt të një kënete”.
Madje kreu i qeverisë mendon se e vetmja gjë madhështore e këtij koalicioni janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Por gjatë takimit, Berisha i kërkoi Gjuzit të bëjë diçka dhe t’ia japë mustaqet Ramës sepse “çmendet” pas tyre.
“Çfarë paraqet pala tjetër? Paraqet hardhucë, paraqet zhapikë, paraqet bretkosa, zhaba dhe tani së fundi i kanë ngelur në gojë, ku je Kujtim? Jepja ato mustaqe ose bëj diçka me të se çmendet pas mustaqeve të tua. Kujtim se ti e unë e njohim atë nga ana psikologjike. Ia di ti arsyet pse e ka atë, por tjetër punë”, tha Berisha.
Sa i përket koalicionit, Berisha tha se është moment historik dhe se aleanca e tyre, transparente.
“Ne paraqesim një projekt në pamje të parë i largët pak Shqipëria Madhështore. Por ne paraqesim një projekt që është absolutisht ëndrra më e bukur e ditës dhe jo e natës e çdo shqiptari, e çdo atdhetari, e çdo njeriu të lirë dhe me dinjitet”, tha Berisha./tvklan.al