“Çështje ekzistenciale për popullin dhe shtetin shqiptar”, kështu e ka quajtur kryeministri Edi Rama “rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian”.
Në mbledhje me grupin parlamentar të PS-së, ai tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një detyrë që vetëm kjo forcë politike mund ta kryejë dhe sa më shpejt. Rrjedhimisht, u shpreh se 11 Maji duhet të jetë vetëm vula për një tjetër mandat.
“Për ne si familje politike, ka qenë gjithmonë e rëndësisë së veçantë që të fitojmë zgjedhjet, por në 11 Maj rëndësia e fitores dhe vetë rezultatit të zgjedhjeve, ka një peshë mbi të ardhmen e afërt të vendit, shumë më të madhe se ç’kanë pasur në zgjedhjet e mëparshme, 9 herë me radhë. Për herë të parë, qysh se unë jam në krye të PS dhe pastaj në krye të qeverisë, është hapur një dritare në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Dëshira dhe ambicia shqiptare për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes europiane përputhet me dëshirën e Bashkimit Evropian, si asnjëherë më parë!
Sot që flasim, tani në këtë orë, janë rreth 1 mijë persona të angazhuar në shtetin shqiptar që punojnë për negociatat, janë afro 40 drejtues të grupeve negociatore dhe është një strukturë që është baza e suksesit të negociatave. Qoftë për të mos lëvizur me asnjë ditë procesin e planifikuar të punës së kësaj armate, 11 Maji duhet të jetë vetëm vula e vullnetit popullor, për t’i dhënë mandatin e 4-ërt PS-së , në mënyrë që ne të mbyllim procesin, që të mos humbasim asnjë ditë, jo muaj. Sepse nëse ne humbasim muaj, dritarja mbyllet. Më shumë se asnjëherë, çështje ekzistenciale për popullin dhe shtetin shqiptar”, deklaroi Rama nga Kryesia e Kuvendit.
/tvklan.al