Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi këtë të hënë koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Kreu i demokratëve tha se kjo aleancë është më e fuqishmja që Shqipëria ka pasur në 32 vite.

“Është një nder i jashtëzakonshëm t’u drejtohem sot shqiptarëve së bashku me koalicionin më të fuqishëm që Shqipëria ka përjetuar në 32 vite. T’u drejtohem shqiptarëve në një moment historik, moment të në cilin ky komb vendos në përpjekjen më epike për t’u ndarë nga diktatura e dytë që kombi përjetoi 34 vite pas përmbysjes së diktaturës së parë. Kjo ditë është një ditë shumë e veçantë në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet”, tha Berisha.

Ai bëri thirrje që të niset puna me synimin që të realizohet projekti për ta shndërruar Shqipërinë madhështore.

“Të nisim punën, të mbështesim kandidatët tanë në të gjitha rrethet. Së bashku me shqiptarët e diasporës për të hapur dyert e një projekti që do e bëjë vendin e tyre një vend madhështor siç e meriton”, tha Berisha./tvklan.al