Në fund të pjesës së parë të “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, u zbulua se Hana nuk ka pasur kurorëzim me Jakup Rexhepin, babain e fëmijëve të saj. Nga martesa e konsumuar në shtëpinë e tij në Mikushnicë të Kosovës prej vitit 2011, gjatë së cilës ka përjetuar dhunë e keqtrajtim, kanë 4 fëmijë.
Babai i Hanës, Rexhepi që është përballë saj, deri në këtë moment ka ngulmuar se ka ndjekur traditat, por s’ka përgjigje për arsyen pse s’është kryer celebrimi. Sot Hana s’ka asnjë prej fëmijëve, është pa përkrahje nga familja e saj dhe në mes të rrugës. Jakupi nuk është pranë fëmijëve, por në Gjermani ku ka krijuar një jetë të re.
Eni Çobani: Ku është Jakup Rexhepi sot?
Hane: Jakup Rexhepi është në Gjermani. Është martuar, ka grua, pritet të bëhet baba përsëri me gruan e dytë dhe kalamajtë janë këtu në shtëpi, vetëm me gjyshen.
Eni Çobani: Ku janë 4 fëmijët e tu?
Hane: 4 fëmijët e mi janë me gjyshen në shtëpinë e ish-burrit tim, me babain e vet, Jakup Rexhepin.
Pjesa më tronditëse e kësaj historie është vendimi i gjykatës, sipas të cilit, institucionet e Kosovës ia kanë caktuar babait kujdestarinë. Hana ka të drejtë t’i shohë vetëm një herë në muaj për 1 orë e gjysmë katër fëmijët e saj që i përkasin grupmoshës 5-13 vjeç.
Eni Çobani: Në nëntor 2024, Drejtoria për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, komuna Skënderaj, i ka çuar Gjykatës së Mitrovicës në Skënderaj, Shërbimi Social i Qendrës për Punë Sociale ku kanë shqyrtuar një kërkesë të bërë nga Gjykata Themelore, lidhur me mendimin për ribesimin e fëmijëve në mes të Jakup Rexhepit në Mikushnicë dhe Hana Syla me vendbanim në fshatin Morinë, Kukës për fëmijët që përmendëm deri tani. Dhe çfarë thotë? Procedura për pajtim dështoi, pra nuk kemi pajtim. Ndërkohë, Shërbimi Social thotë që duke u bazuar në deklaratën e prindërve dhe fëmijëve të marra në datën 07.11.2024 dhe në bazë të gjendjes faktike në terren, është e mendimit që të gjithë këta fëmijë t’i besohen për ruajtje dhe edukim, babait të tyre, Jakup Rexhepit dhe mënyra e kontaktimit të prindit, nënës në këtë rast me fëmijët të mbetet një herë në muaj, të premten e parë të muajit prej orës 14:00 deri në 15:30!/tvklan.al