Pak ditë para mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Edi Rama merr serish kritika për qëndrimin dhe përgjegjësitë e tij pas humbjes në zgjedhjet e 28 Qershorit. 

Kësaj radhe është gazeta shqiptare, një prej mediave të njohura për qëndrimet e saj pro Ramës që ka pasqyruar gjerësisht kritikat që vijnë në adresë të tij nga brenda radhëve të selisë rozë. 

Në një interviste për këtë të përditshme Ben Blushi, një prej figurave kryesore të selisë rozë, ka shkuar edhe më tej në qëndrimet e tij.

Sipas tij rruga e vetme për të risjellë PS-n në Pushtet është ndryshimi i kryetarit por dhe i funksionimit të saj.

“PS e muajit të fundit është modeli më i keq i asaj që nuk duhet të jetë një parti evropiane sepse po dominohet nga një frymë, sipas së cilës, të gjithë kanë faj, përveç kryetarit. Natyrisht kjo nuk është rruga për të modernizuar Partinë Socialiste. Nëse vazhdohet kështu, do ketë gjithmonë e më pak njerëz që do kenë motiv, ambicie dhe shpresë për të gjetur veten në PS. Në rast humbjeje nuk ikën partia, por kryetari. Ndërsa unë mendoj se ne duhet të ndryshojmë dhe partinë, dhe kryetarin”.

Blushi ka ripërsëritur qëndrimin e tij për njohjen e rezultateve të 28 qershorit duke ngarkuar me përgjegjësi direkte për humbjen Edi Ramën.

Sipas tij ky qëndrim po përqafohet edhe nga anëtarësia socialiste dhe do të përbëjë një nga diskutimet kryesore ne kongres.

“Kam takuar shumë delegatë dhe anëtarë të PS të të gjitha rretheve apo qarqeve. Çuditërisht, shumica më kanë thënë atë që mendoj: se ne kemi humbur kryesisht për arsyet tona, pra për paqartësinë e programit dhe mungesën e ideve për qeverisjen e vendit, për aneminë e koalicionit tonë, personalizimin egoist të fushatës, për dobësitë organizative të Partisë Socialiste në disa zona”.

Sipas Blushit nuk ka më asnjë arsye për të rikandiuar për postin e kryetarit të Partisë Socialiste.

“Edi Rama sot nuk e ka problemin as me statutin e PS, as me mua, as me ata që mendojnë ndryshe nga ai, as me shoqërinë, as me precedentin, por vetëm me veten e tij. Jam i bindur që për arsyet e veta nuk duhet të rikandidojë dhe nuk do rikandidojë, sepse çdo kthim pas do ulte shkallën e besimit jo vetëm tek kryetari i PS-së, por sidomos tek Edi Rama”.

Veç të tjerash në këtë intervistë Blushi bëri publike edhe propozimet që do t’i bëhen kongresit të jashtëzakonshëm të socialistëve, ku pjesën e rëndësishme e diskutimeve do të jetë edhe ndryshimi i statutit të PS-së./tvklan.al