Një detaj që ngjall interes në rast se emigrantët shqiptarë do shprehin vullnetin e tyre me votë në zgjedhjet e 2025-ës, është kostoja për postën. A do paguajë shteti apo zgjedhësit jashtë territorit të vendit?


Pikërisht për këtë, përgjigjien e dha demokrati Oerd Bylykbashi. Ai sqaroi në një konferencë për mediat se gjysmën e vlerës monetare e mbulon shteti dhe dërgimin mbrapsht të fletës së votimit, vetë zgjedhësit e diasporës.

“Në ushtrimin e tyre të së drejtës është bërë një diskutim i gjatë. Kanë nisur që në 2018 duke sjellë ekspertë ndërkombëtarë me eksperiencat e tyre. Zgjidhja që ndiqet, shteti mbulon dërgimin e materialit zgjedhor dhe zgjedhësit e kthejnë mbrapsht. Mbulimi i kostove nga shteti në ekzekutimin e një të drejte, nënkupton se do paguhet nga para publike, taksa të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri. Kjo sigurisht vë në pozitë ata që paguajnë për të tjerë, por kjo është një zgjidhje e cila ndjek një shembull nga praktika ndërkombëtare.

Përgjithësisht shtetet që ndjekin modelin kanë numra të ngjashëm popullsie ata që jetojnë jashtë. Gjysmën shteti, dërgimin mbrapsht emigranti. Shteti ka një detyrë, që përms instrumentave të kontraktojë kompani të sigurta që vota të vijë në kohë, pa u prekur e manipuluar dhe në këtë përzgjedhje negocion dhe kostot më të ulëta për shërbimin postar. Përcaktohet dhe vlera që mund të mbulohet nga zgjedhësi, që e bën KQZ kur të përzgjedhë operatorin për ushtrimin e kësaj të drejte”, tha Bylykbashi./tvklan.al