Pak pas hapjes së tunelit të Murrizit, Sali Berisha foli jo vetëm për kosto të tejfryra të Rrugës së Arbrit, por edhe punime jashtë çdo standardi.
“27 kilometra rrugë të parashikuara për 160 mln Euro, kanë shkuar gjer tani 450 mln Euro. Dmth, 3 herë mbi parashikimin. 1 kilometër i saj ka kushtuar 1.2 herë më shtrenjtë se 1 km i Rrugës së Kombit. Uroj me gjithë zemër që tuneli të funksionojë, sepse në vlerësimin tim tuneli është ndërtuar duke shkelur kondicionet dhe rekomandimet e kompanive më prestigjioze të fushës, kurse parametrat e tjera të asaj rruge janë copë-copë”, tha Berisha.
Nga konferenca e përjavshme me mediat të rinjtë i ftoi që të shtunën të mblidhen në protestën kombëtare përpara kryeministrisë në respekt të fjalës së lirë.
“I garantoj se në datën 12 [Maj], TikTokun do e kenë në kompjuter dhe do ndëshkohet rëndë Edi Rama. Të protestojmë në respekt të fjalës së lirë. Protesta përpara godinës së tiranit”, tha Berisha.
I pyetur për listat e mbyllura të kandidatëve, Berisha hodhi poshtë çdo pretendim se me to shpërbleu besnikët e tij në parti duke lënë jashtë zërat ndryshe.
“Nuk është e vërtetë. Unë këtë jetë politike e kam nisur për motivin më themelor të pranimit të mendimit ndryshe”, tha Berisha.
Ndërsa më herët nga Elbasani teksa uroi qytetarët për Ditën e Verës, Berisha pa komentuar nuk la edhe largimin e deputetit Dashnor Sula, më i votuari i këtij qarku në primare.
“Midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi të ikte dhe shkoi në punë të vet. Bëri gabim, por prapë ka kohë që ta mendojë atë vendim.”
Qytetarët e Elbasanit në krah të kandidatëve demokratë i ftoi që në 11 Maj të mos votojnë asnjë parti opozitare, përveç koalicionit “Shqipëria Madhështore”.
“Asnjë votë për patericat e Edi Ramës, sepse ata u ftuan, mirëpo ata nuk i lejuan problemet e tyre ndaj dhe votat për ta janë vota për Edi Ramën, de facto”, tha Berisha.
Nga deputetët që mbetën jashtë listave kërkoi kontribut për rikthimin e demokratëve në pushtet, duke premtuar se pas zgjedhjeve do kërkojë ndryshimin e kodit elektoral.
“Deputetët që nuk janë në lista, unë i ftoj që të kontribuojnë. Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish. Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh. Pas zgjedhjeve të ndryshojmë kodin dhe ta bëjmë të drejtë”, tha Berisha.
Nga të vetët kërkoi bashkim në diversitet dhe fokusim tek prezantimi i programit ekonomik, që sipas tij është vënë në shënjestër të Kryeministrit.
“Kanë tre ditë që merren me Dash Sulën dhe mustaqet e Kujtim Gjuzit. Këta duan që të eklipsojnë me propagandën e tyre një program madhështor, një program që shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë, 100 përqind të realizueshëm”, tha Berisha.
Berisha premtoi se do të ndërmarrë masa të rëndësishme ekonomike për të luftuar varfërinë, duke përfshirë një rritje të menjëhershme të pensioneve dhe pagave.
Tv Klan