Vjollca Faja është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan pasi në vitin 2014 ka fituar gjyqin për një pronë dhe nga ky vit vendimi nuk është ekzekutuar. Në muajin mars nëpërmjet një personi, takohet me avokatin Bledar Paheshti i cili në fillim u prezantua si përmbarues e më pas avokat dhe firmosi një kontratë, sipas së cilës ai merrte përsipër të ekzekutonte vendimin e gjykatës. Për këtë avokati kërkoi 20 mijë euro.

Në fillim do të kryhej pagesa 10 mijë euro, të cilën qytetarja e kreu dhe po priste ekzekutimin e vendimit. Avokati filloi ta sorollaste, derisa u zhduk e ndryshoi dhe numrat e kontaktit. Nga mesazhet mes avokatit dhe klientes duket se mbrojtësi ligjor e ka shtyrë vazhdimisht vendimin për javën tjetër, pa e ekzekutuar kurrë.

Vjollca telefonon ndërmjetësen që e lidhi me avokatin Paheshti, por ajo tërhiqej duke mos marrë asgjë përsipër. 

Vjollca Faja: Si jeni?

Ndërmjetësja: Mirë! Si je ti?

Vjollca Faja: Jam në Tiranë, desha t’ju takoj, a mund të më japësh një adresë të avokatit ose një numër telefoni?

Ndërmjetësja: Numër telefoni ka atë, që kemi pasur. Atë, që kam unë ke edhe ti, e para. E dyta, adresë nuk keni nënshkruar ju? S’keni pasur ndonjë lloj konfirmimi, kur keni bërë muhabet në fillim?

Vjollca Faja: Jo.

Ndërmjetësja: Adresat jepen të shkruara nga fillimi në fund, në mënyrë zyrtare. Unë mund të ta tregoj futu këtu, dil atje. Kështu që të shoh, nëse kam unë ndonjë kontakt tjetër me të dhe të të them.

Nga informacionet që “Stop” siguron, rezulton se në momentin e nënshkrimit të kontratës avokati Paheshti nuk ka pasur licencë, pasi ka qenë i pezulluar nga Dhoma e Avokatisë. Vetëm në provimin e nëntorit të vitit 2024 e ka rimarrë licencën./tvklan.al