Pushimi i Mirel Josës ka zgjatur shumë pak. Vetëm një ditë pasi u shkarkua nga drejtimi i Vëllaznimit në Ligën e Parë në Kosovë, tekniku kryeqytetas është ulur në stolin e një tjetër skuadre.

Josës i është besuar drejtimi i Suharekës, në Superligën e Kosovës. Një rikthim për 61-vjeçarin në elitën e futbollit “dardan”, aty ku në të kaluarën ka drejtuar skuadrën e Prishtinës.

“Mirësevjen, Profe! FC Suhareka ka arritur marrëveshje me trajnerin e njohur Mirel Josa, i cili nga sot merr drejtimin e skuadrës. Me një përvojë të madhe në futbollin shqiptar, Josa pritet të sjellë stabilitet dhe sukses tek ekipi ynë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Suhareka e nisi sezonin me trajnerin Shpëtim Duro, ndërsa aktualisht lufton për mbijetesë, pasi mban vendin e tetë me 29 pikë të grumbulluara.

Për Josën, Suhareka është skuadra e tretë për këtë sezon, pasi më parë drejtoi Besën e Kavajës në Shqipëri dhe më pas Vëllaznimin në Kosovë. /tvklan.al