Një aksident i 5-fishtë ka ndodhur në Vlorë. Sipas asaj që bën të ditur gazetarja e Klan News, Greta Haskaj 5 mjete janë përfshirë në një aksident rrugor në rrugën “Transballkanike” në Vlorë.
Mësohet se një automjet tip ML e zeze në ikje e sipër në qytet ka goditur tre makina e në tentativë për ta neutralizuar ka goditur disa postoblloqe, teksa tashmë është ndaluar.
Sipas shefes së qarkullimit rrugor bëhet e ditur se është plagosur dhe një punonjëse policie e burgut, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit Mercedes Benz është larguar sërish nga vendngjarja ku ka kaluar në drejtim të Zvernecit. Pas kësaj gazetarja raporton se i janë vënë në ndjekje shërbimet e Komisariatit dhe të Drejtorisë ku pas 30 minutash ndjekje, ky drejtues ka aksidentuar motomjetin e Shigjetave si dhe Automjetin e Shqiponjave duke vënë në rrezik serioz jetën e tyre. Nga kryerja e testit të alkoolit autori ka rezultuar në gjendje të dehur.
“Në gjendje të dehur në drejtim të automjetit, përplas disa mjete dhe tenton t’i largohet Policisë, kapet dhe ndalohet pas ndjekjes 34-vjeçari. Sot, rreth orës 19:50, në rrethrrotullimin e Çoles, në lagjen “1 Maji”, shtetasi K. Ll., 34 vjeç, banues në Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, ka përplasur fillimisht tre mjete dhe, gjatë lëvizjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ka goditur edhe një tjetër mjet me drejtuese shtetasen A. K., rreth 50 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje për ndalimin dhe kapjen e tij. Pas lokalizimit të 34-vjeçarit, ky i fundit ka tentuar t’i largohet shërbimeve të Policisë duke manovruar me shpejtësi dhe goditur dy mjete të Policisë, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.
Pas ndjekjes së vazhdueshme nga Policia, në një zonë jashtë qendrave të banuara, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e tjerë të mjeteve apo kalimtarët e rastit, u bë e mundur ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit K. Ll., i cili u shoqërua menjëherë në komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, thuhet ne njoftimin e policisë.
/tvklan.al