Ende nuk është publikuar raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, rreth përmbushjes së kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.
Kryeministri Albin Kurti nuk deshi të komentojë deklaratën e BE-së se janë spekulime deklaratat nga Kosova që BE do të rekomandojë heqjen e masave.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë javën e kaluar se në raportin e shefit të BE-së, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së, “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.
Në BE kanë thënë se afatizimi i raportit dhe përmbajtja e tij janë çështje ndërinstitucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë aktorët jashtë bllokut evropian.
Sipas zëdhënësit Peter Stano, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht tek vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.
Tv Klan