Blake Lively ka shënuar një fitore të vogël në çështjen e saj kundër Justin Baldoni. Gjykatësi ka vendosur një urdhër mbrojtjeje për të parandaluar që disa informacione si të dhënat mjekësore apo marrëveshjet financiare për projekte të ardhshme, të bëhen publike.
Gjykatësi tha se standardi i gjykatës nuk ishte i mjaftueshëm për nevojat e çështjet nisur nga natyra e saj e ndjeshme dhe e profilit të lartë.
“Këto çështje përfshijnë konkurrentë biznesi dhe akuza për ngacmim seksual”, shkroi gjykatësi duke thënë se zbulimi do të nxirrte “informacion konfidencial dhe sensitiv biznesi e personal” dhe se “rreziku është i lartë”.

Të dhënat mjekësore, informacioni i sigurisë dhe marrëveshjeve do të kategorizohet “për avokatët”, çka do të thotë se do të shihet e trajtohet vetëm prej tyre, pa u bërë publik.
Por për shkak të natyrës së çështjes si ngacmim seksual, gjykatësi tha se disa informacione “shumë personale dhe intime për palët e treta” do të jenë vështirë të mbrohen.
Në një deklaratë për CNN, avokatët e Lively thanë se gjykatësi “aplikoi masat e duhura për të siguruar rrjedhjen e lirë të materialeve pa rrezikun e kanosjes së dëshmitarit apo cenimin e sigurisë së induvidit”.
Më herët, avokatët e aktores u shprehën se që pas ngritjes së padisë së parë në dhjetor 2024, ajo dhe të tjerët janë në shënjestër të “komunikimeve të dhunshme, ofenduese, seksiste dhe kërcënuese” online, përfshirë edhe imazhe pornografike të postuara në Instagram-in e saj. Pikërisht për shkak të këtij ngacmimi online dhe rrjedhjes së informacioneve të ndryshme lidhur me fëmijët e çiftit, ekipi ligjor ka kërkuar forcimin e urdhrit mbrojtës.
Ekipi i Baldoni u kundërpërgjigj duke thënë se mbrojtja standarde ishte e mjaftueshme dhe se kufizimet e shtuara të propozuara nga ekipi i Lively ishin thjesht përpjekje për “të mbrojtur” publikun nga provat që mund të njollosin imazhin e saj.

Justin dhe avokati i tij, Bryan Freedman kanë thënë se duan të nxjerrin sa më shumë prova të jetë e mundur për të mbrojtur reputacionin e tij nga akuzat që ka ngritur Blake.
Por ka një vijë të hollë për ekipin ligjor të aktorit sepse vendimi thotë se gjykata s’mund të kategorizojë apo trajtojë me konfidencialitet dokumentet e shkëmbyera mes Blake dhe Justin që përfundojnë si prova në gjyq.
Në thelb, kjo do të thotë se ngjarjet pikante do të zbulohen në fund nëse çështja vazhdon rrugën ligjore dhe nuk zgjidhet me marrëveshje jashtë dyerve të gjykatës./tvklan.al