LIVE – SEANCA E KUVENDIT
Shehaj akuza Bardhit: Je bërë palë me PS-në
Teksa parlamenti është ndërprerë për disa minuta pushim, Agron Shehaj vijon që të qëndrojë në foltore.
Ai vijon debatet edhe me deputetët në radhët e Partisë Demokratike.
Siç raporton gazetari Enkel Xhangoli, Shehaj akuzoi Bardhin se është bërë palë me PS-në. “Keni bërë marrëveshje”, është shprehur ai.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Bardhi i është përgjigjur: Çfarë do nga ne, na thuaj!
Situata me Agron Shehajn, pse u revoltua deputeti
Prej shumë minutash tashmë, deputeti Agron Shehaj ka bllokuar foltoren e Kuvendit. Ai qëndron aty pavarësisht se kryeparlamentarja Elisa Spiropali e përjashtoi nga seanca.
Por çfarë ndodhi?
Agron Shehaj kërkon disa muajsh një interpelancë me zv/kryeministren Belinda Balluku për rrugën Thumanë-Kashar. Ai e akuzon atë për korrupsion. Në çdo seancë që e ka kërkuar interpelancën, nuk i është miratuar.
Sot bëri përsëri të njëjtën gjë. Kërkoi interpelancë, por kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se ministrja Belinda Balluku ndodhet jashtë vendit. Por disa minuta më vonë, Balluku është paraqitur në seancë.
Siç e kemi raportuar edhe më herët, Balluku foli duke thënë se ka qenë e gatshme për interpelancë, por Shehaj bën populizëm.
Pas kësaj, Shehaj ka kërkuar fjalën, por Spiropali nuk ia dha. Shehaj akuzon kryeparlamentaren se mashtroi për Ballukun dhe këtë të fundit se i fshihet interpelancës.
Megjithatë pavarësisht se vijon të qëndrojë në foltore, seanca vijon normalisht dhe deputetët flasin nga vendet e tyre.
Kuvendi vijon seancën.
Deputeti Agron Shehaj nuk ka pranuar të largohet nga salla. Ai vijon të qëndrojë live në Facebook nga foltorja.
Ndërkohë deputetët flasin nga vendet e tyre. Për momentin po flet deputeti Dashnor Sula. Ai hodhi akuza për inceneratorin e Elbasani.
“Nuk funksionon, është një grup kriminal”, tha Sula.
Rinis seanca, Shehaj sërish bllokon foltoren. Futet live në Facebook
Pas disa minutash ndërprerje, seanca rinisi punën.
Por deputeti Agron Shehaj vijon që të qëndrojë në foltore. Kryeparlamentarja Spiropali kërkoi ndërhyrjen e Gardës për të nxjerrë deputetin. Kjo solli reagimin e opozitës.
“Mos e prek deputetin”, dëgjohet të thotë Berisha.
“Dil nga seanca, je i përjashtuar”, tha Spiropali.
Ndërkohë Agron Shehaj është futur live Facebook.
Shehaj bllokon foltoren, Spiropali e përjashton nga Kuvendi
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali sapo përjashtoi nga Kuvendi deputetin Agron Shehaj. Ky i fundit bllokoi foltoren teksa fliste ministri i Financave, Petrit Malaj. Shkak ishte replika që donte të bënte me zv/kryeministren Belinda Balluku.
“Jeni i përjashtuar nga seanca zoti Shehaj. Çlironi foltoren dhe suksese”, tha Spiropali.
Më pas ajo vendosi pesë minuta pushim me qëllim lirimin e foltores.
“Ke të gjithë të drejtën të diskutosh, je i regjistruar, ulu mos e blloko foltoren. Nuk i fiton dot votat, as me bllokim, as me populizma, as me TikTok”, i tha Spiropali deputetit Agron Shehaj.
Tashmë në këto momente ka nisur diskutimi i projektligjit për tatimin mbi të ardhurat. Fjalën e ka ministri i Financave, Petrit Malaj që po e prezanton para deputetëve.
Aktualisht është deputeti Agron Shehaj në foltore që kërkon fjalën, për të replikuar me zv/kryeministren Belinda Balluku duke mos lejuar zhvillimin normal për momentin të seancës.
Pavarësisht kësaj ministri Malaj po vijon me fjalën e tij nga karrigia e ministrit.
Replika mes Malajt dhe Bardhit
Ministri Petrit Malaj u rikthye në kuvend dhe i ktheu përgjigje kreut të grupit parlamentar të PD-së.
Petrit Malaj: Gjumë jeni mësuar të flini ju, keni vite që flini gjumë. Nëse do i referohesh medias do shohësh angazhimin tim për çfarë kam qenë i angazhuar dhe ku kam qenë i angazhuar.
Gazment Bardhi: Nuk do përgjigjem për çështjen e gjumit. Zotrote erdhe në punë në orën 12:00. Ai shqetësim që ngritëm, nuk ndjekim axhendën, se s’bën asnjë punë. Je aty vetëm se të ka rekomanduar krimi i organizuar dhe ti e di shumë mirë. Je aty për të menaxhuar paratë e buxhetit që pjesën dërrmuese t’ia çosh krimit të organizuar. Je aty si ushtar i Edi Ramës për të firmosur çfarë të urdhëron ai. Zotëria juaj e ke për detyrë me kushtetutë dhe rregullore të jesh aty. Sa orë fle në gjumë, kur zgjohesh dhe ça ëndrrash shikon kjo është puna jote. Herë tjetër paraqitu në orar për të prezantuar iniciativat e Këshillit të Ministrave.
Berisha-mazhorancës: Sot regjistruat një tjetër rekord të zi në këtë “narko-Parlament”
“Këto akte që bëtë sot, ju keni regjistruar një rekord tjetër të zi në historinë e këtij narko-parlamenti. Është detyrim kushtetues që titullari të paraqesë ligjin. S’ka detyrim ligjor e as moral opozita që të presë qoftë edhe një sekondë ata që e konsiderojnë Parlamentin mbledhje grupi dhe çfarë grupi?! Marrëdhëniet në Parlament të jenë ato që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja”, kështu deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha sot në Kuvend.
Balluku për Shehajn: Ai bën populizëm, kam qenë e gatshme për interpelancë
Nuk munguan debatet as në seancën e sotme plenare. Së pari, opozita u revoltua me vonesën e ministrit të Financave Petrit Malaj në Kuvend. Së dyti, krijoi debat interpelanca e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj me ministren Belinda Balluku. Kjo e fundit tha se ka qenë gjithnjë e gatshme për interpelancë, ndryshe nga çfarë ka deklaruar Shehaj…Lexo më shumë
Seanca e fundit për këtë vit në Kuvend. Spiropali përjashton Shehajn, deputeti bllokon foltoren
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2024/12/shehaj-1-1024x576.jpg)
Këtë të Enjte mbahet seanca e fundit plenare për vitin 2024.