Demokratët kanë depozituar në Kuvend amendamentet e tyre lidhur me projektligjin e socialistëve për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale dhe gjobat e vendosura për shkelje administrative, gjatë periudhës së pandemisë.
Ndryshe nga socialistët, demokratët kërkojnë anulim të të gjitha masave prej 2014-s, për ndërtimet pa leje për nevoja strehimi, në të gjithë territorin.
Një propozim tjetër i artikuluar dhe kryedemokrati, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, është ai për faljen e gjobave dhe detyrimeve të prapambetura për energjinë dhe ujin, për shtresat në nevojë e pensionistët.
“Do të kërkojmë faljen e të gjitha gjobave dhe kamat-vonesave.”
Berisha thotë se brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij do të rikthejë dhe fashat për konsumin e energjisë elektrike.
“Do të përcaktohet kuadri i ri i ligjor i çmimeve të energjisë elektrike në përputhje me rrogat dhe pensionet.”
Kryedemokrati ripërsërit qëndrimin e demokratëve për të hetuar projektin e ndërtimit të porteve në Durrës, si atë tregtar dhe atë industrial, të Porto Romanos.
“Ndërtimet që të gjitha pasuri e grupeve kriminale te Dubait. Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai me temë investimet e tyre në Durrës.”
Berisha siguron se pjesë e këtij plani për pastrimin e parave të krimit ishte dhe Amnistia Penale dhe Fiskale, e propozuar nga qeveria Rama.
“Pasi Bashkimi Europian dhe partnerët e tjerë i nxorën kartonin e kuq, ky u tërhoq nga amnistia dhe bëri pastaj takimin e fshehtë.”
Demokratët do të kundërshtojnë në seancën e së enjtes dhe futjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për substancat psikotrope.
“Sjell tani ligjin e përdorimit të drogës në parlament ‘de facto’, se kështu është i mbuluar me substancat psikotrope. Atë ligj do ta kundërshtoj me forcën më të madhe.”
Tv Klan