Raportim Live
13:57, 5 Dhjetor 2024

Të dashur lexues të Tvklan.al 👋

Sot Kuvendi u mblodh sërish, për të dytën herë brenda javës (të martën u zhvillua seanca për buxhetin). Në rendin e ditës ishin parashikuar disa çështje për diskutim, por asnjëra prej tyre nuk u shtrua nga deputetët. Seanca mori një rrjedhë ndryshe madje nuk u mbyll si herët e tjera. Se çfarë ndodhi po jua shpjegojmë shkurtimisht këtu.

E teksa pritej që në fokus të ishte interpelanca me ministren Manastirliu për sigurinë në shkolla, më shumë se dy orë nga nisja u morën për një çështje tjetër. Partia Socialiste propozoi me procedurë të përshpejtuar një projektligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Por kjo u kundërshtua nga opozita.

Ata u shprehën se nuk janë kundër faljes, por kundër sjelljes së qeverisë që pasi i gjobit qytetarët i fal ata. Veprimin e mazhorancës e shohin si lëvizje të socialistëve për të përfituar vota në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa u shprehën se mazhoranca duhet të kërkojë falje për çfarë ka bërë dhe se procedura e ndjekur në këtë rast është e parregullt. Kjo u mohua nga mazhoranca që deklaroi se para Vitit të Ri do ta votojë këtë ligj.

E teksa u duk se seanca po futej në “shinat” e rendit të ditës, këtu situata mori “tatëpjetën”. Deputetja Ina Zhupa përdori një fjalor, të cilin mazhoranca e konsideroi denigrues ndaj deputetin Erion Braçe. Socialistët kërkuan që ajo të kërkojë falje, diçka që nuk u bë nga Zhupa. E ministrave që u larguan teksa Zhupa fliste iu shtuan edhe ata pak deputetë socialistë që kishin qëndruar në sallë deri në atë moment. Edhe ata u larguan.

Ndryshe nga herët e tjera që mund të kemi parë që largohet opozita, sot panorama ishte krejt ndryshe. Spiropali u detyrua të ndërpriste seancën. Ajo e rinisi edhe njëherë, por vetëm për të njoftuar tashmë se do të mbyllej për shkak të gjuhës së përdorur. Tashmë interpelanca me Manastirliun, por edhe pikat e tjera në rendin e ditës do të diskutohen në seancën tjetër.

Këtu, në këtë raportim live të Tvklan.al do të gjeni të gjitha zhvillimet se çfarë ndodhi në Kuvend sot.

13:30, 5 Dhjetor 2024

Pas thuajse 4 orësh, është mbyllur seanca e kësaj të Enjteje në Kuvend. Të gjitha pikat e rendit të ditës do të diskutohen në seancën e ardhshme, bashkë me interpelancën e PD me ministren Ogerta Manastirliu.

13:28, 5 Dhjetor 2024

“U zbythët se rrogën e morët”, Bardhi për fjalën “ruse”: Përfshihet te koncepti i ngacmimit seksual

I fundit për sot e mbajti fjalën nga foltorja kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi. Ai dënoi gjuhën e përdorur nga Erion Braçe ndaj deputetes Ina Zhupa.

“Provokoi një kolege grua, është kalim limiti njerëzor e human në këtë sallë. T’i drejtohesh me atë gjuhë, përfshihet brenda konceptit të ngacmimit seksual në këtë sallë… E para kjo gojëprishura që u nxorri të gjithëve nga salla.”

13:27, 5 Dhjetor 2024

Si nisi sherri Zhupa-Braçe

Seanca në Kuvend u ndërpre këtë të enjte për shkak të fjalorit të përdorur nga deputetja Ina Zhupa. Por si nisi gjithçka, pasi në replikën e saj, ajo i drejtohet Erion Braçes se ky i fundit e ka quajtur ruse.

Në fakt debati mes të dyve nis minuta më herët, kur Zhupa tha se Braçe si kryetar i Komisionit të Dezinformimit ka bërë thirrje të çonte për ndjekje penale gazetarë dhe media. Kjo solli replikën e Erion Braçes.

“Si mund ta lë pa replikë unë kur kjo mediat i di rubinetë. Dëgjojeni fjalinë e kryetares së Komisionit të Edukimit, media që nuk çojnë ujë te qeveria. Unë e di që uji mbahet o nëpër kanale, o nëpër tuba. Nuk mbahet nëpër media. Në media mund të pihet.  E para mbi të gjitha mos u lyej me parfum, e dyta prit thonjtë se është shfaqje e huaj të vish në parlament në këtë gjendje siç vjen ti, kjo është e para. E dyta, në asnjë sekondë, në asnjë moment, të mbledhjes së djeshme të komisionit të posaçëm, në asnjë sekond që kam thënë para mediave nuk kam kërkuar që të hetohet media apo gazetarë. Është shumë e qartë si drita e diellit që unë nuk e kam thënë atë siç është shumë e qartë që ti dukesh si ruse, por nuk je ruse”, ishte fjala e Braçes.

Që në atë moment, Zhupa kërkoi replikë, por nuk u lejua nga kryetarja e Kuvendit. Më pas në fjalën që kishte kur doli në foltore për interpelancën iu drejtua Braçes kështu: Dua të them po zoti Braçe keni një problem të madh me gjatësinë, por nuk ta zgjidh dot unë këtë problem. Unë nuk i dëgjoj ata nën 1.50 metra. Nuk e di kush ta jep të drejtën që të më quash si ruse sepse unë nuk ia jap të drejtën vetes të të quaj kone dhe pse të quajnë të gjithë. Por kjo është çështje personale. Nga anët e mia nga unë vij fëmijët ne i trajtojmë me shumë respekt dhe i mbajmë mirë dhe kur futen në çështjet e më të mëdhenjve ne kemi një shprehje. Dhe i themi, “O Erion t’u rrittë boja, sa shumë m** të ha goja”.

Ndërkohë pas deklaratës së Zhupës, Bracce nuk është kundërpërgjigjur. Ai u filmua nga kamerat duke debatuar me Flamur Nokën dhe pas kësaj u largua, njësoj si ministrat dhe deputetët e tjerë socialistë.

13:07, 5 Dhjetor 2024

Çfarë ndodhi?

Gazetari Enkel Xhangoli na raporton më shumë nga ajo që ndodhi në seancën parlamentare. Në fillim raportuam për kabinetin qeveritar që u largua pas fjalës së deputetes Ina Zhupa, por nuk kanë qenë të vetmit. Po ashtu edhe deputetët e Partisë Socialiste janë larguar nga salla e Kuvendi pasi Zhupa ofendoi Erion Braçen.

Me anë të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi socialistët donin që Zhupa të kërkonte falje, por ajo nuk e ka bërë diçka të tillë. Xhangoli raporton se pas kësaj janë larguar nga Kuvendi. Më pas kryetarja e Parlamentit kërkoi ndërprerjen e seancës plenare.

Deri më tani nuk ka ende një kohë se kur mund të fillojë seanca plenare. Nëse nuk plotësohet kuorumi i nevojshëm seanca mund edhe të mos rifillojë, por pritet se çfarë vendimi do të marrë grupi socialist.

Për të gjitha zhvillimet nga Kuvendi sot mund të shfletoni më poshtë në këtë raportim live të Tvklan.al

13:02, 5 Dhjetor 2024

“O Erion t’u rrittë boja, sa shumë m** të ha goja”, deklarata që shkaktoi largimin e ministrave

Ky është momenti kur ministrat largohen pas deklaratës së deputetes Ina Zhupa.

12:53, 5 Dhjetor 2024

Ndërpritet seanca

Pas shumë debateve, seanca është ndërprerë për disa minuta. Shkak sigurisht u bë deklarata e Ina Zhupës për Erion Braçen.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, ndër të paktët socialistë që qëndruan në sallë pas fjalës së Zhupës, kërkoi ndërprerjen e seancës derisa ajo të kërkojë falje.

12:52, 5 Dhjetor 2024

“Të na vijë turp”| Zhupa nis interpelancën pa Manastirliun, nxehet Bardhi…

Në mënyrë krejt të pazakontë, interpelanca urgjente me ministren Ogerta Manastirliu ka nisur vetëm me opozitën, disa deputetë të PS-së dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali në sallë.

Deputetja Ina Zhupa tha se nuk meritojnë të rrinë në Parlament “hajdutë e të korruptuar”, kur flitet për vrasjen e një 14 vjeçari.

Ndërkohë ministrat kanë braktisur Kuvendin pas fjalorit denigrues që është përdorur.

Në një moment kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi vuri një video të vjetër të kryeministrit Edi Rama ku dëgjohet të thotë “ti gruas time i ha atë që s’thuhet”. Kjo sipas tij për të treguar se nuk është opozita ajo që e ka tepruar me ofendimet… Lexo më shumë

12:50, 5 Dhjetor 2024

“O Erion sa shumë m** të ha goja”, ministrat braktisin sallën pas deklaratës së Ina Zhupës

Ministrat e qeverisë së Edi Ramës lanë sallën e parlamentit pas gjuhës së përdorur nga deputetja Ina Zhupa ndaj deputetit Erion Braçe.

“O Erion t’u rrittë boja, sa shumë m** të ha goja”, u shpreh deputetja gjatë fjalës së saj në nisje të interpelancës me Ogerta Manastirliun.

Por kjo solli reagimin e menjëhershëm të ministrave fillimisht të cilët dolën direkt nga salla. Më pas u shumndoqën edhe nga disa deputetë… Lexo më shumë

12:36, 5 Dhjetor 2024

Siç e kemi përmendur më poshtë, pas më shumë se dy orësh debat, tashmë ka nisur diskutimi mbi rendin e ditës.

Çështja më kryesore është interpelanca me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu pas vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”.

8:56, 5 Dhjetor 2024

Ofendime në parlament, mbyllet seanca (Të gjitha zhvillimet)