Në mënyrë krejt të pazakontë, interpelanca urgjente me ministren Ogerta Manastirliu ka nisur vetëm me opozitën, disa deputetë të PS-së dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali në sallë. Deputetja Ina Zhupa tha se nuk meritojnë të rrinë në Parlament “hajdutë e të korruptuar”, kur flitet për vrasjen e një 14 vjeçari.
Ndërkohë ministrat kanë braktisur Kuvendin pas fjalorit denigrues që është përdorur.
“Ishte mësuar si ministre e Shëndetësisë që vdekjet nuk i bënin përshtypje, si ministre Arsimi po bën rekorde. Kur vë një të paaftë në krye, ngelet përsëri i paaftë dhe froni i shërben për të nxjerrë në pah injorancën. A është kjo ngjarje një rast i veçuar, a kanë fëmijët tanë siguri në shkolla publike, a është investuar në buxhet për oficerë në shkolla, a ka psikologë për të trajtuar konfliktet mes nxënësve? Përgjigja që duhet të japë ministrja sot, e bindur që s’do ketë se do jetë e indinjuar. Është e rëndësishme për secilin prind të Republikës, e kërkojnë ata që kanë protesutar për dorëheqjen e Manastirliut sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi kur humb jetën një fëmijë në dyert e shkollës”, deklaroi Zhupa nga foltorja për ministren e Arsimit dhe Sportit.
Në një moment kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi vuri një video të vjetër të kryeministrit Edi Rama ku dëgjohet të thotë “ti gruas time i ha atë që s’thuhet”. Kjo sipas tij për të treguar se nuk është opozita ajo që e ka tepruar me ofendimet.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e ndërpreu seancën duke thënë ”duhet të na vijë turp, nuk duhet ta përdorim këtë fjalor kurrë më!”
/tvklan.al