Zhvillohet seanca e sotme parlamentare. Për disa minuta u desh ndërprerja e seancës pas një debati mes palëve lidhur me procesverbalin e seancës së 3 Dhjetorit 2024 në Kuvend.
Opozita ka kërkuar të njihet me propozimin e 40 deputetëve socialistë për një “ligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje“.
Ndërkohë kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se “procesverbali është depozituar vetëm 45 minuta më parë” dhe sapo ta ketë nga Sekretaria do ua vërë në dispozicion.
Për ta sqaruar më shumë këtë draft ishte ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili tha se ky ligj ka të bëjë me qytetarët që kanë penalizuar padrejtësisht për ndërtime të vogla apo thjesht riparime. Ai u shpreh se nuk ka asnjë shkelje të procedurës në këtë rast.
“Edhe kolegë të opozitës në shumë raste kanë ngritur një shqetësim të qytetarëve lidhur me disa raste, apo shumë raste të penalizimit të padrejtë për ndërtime që kanë të bëjnë me një riparim çatie, me një mur mbajtës të një shtëpie, një avllie. Në këtë kontekst deputetë të PS-së, do ftoja edhe deputetë të PD që ta përmirësojnë draftin në komision, dhe ajo që po thotë kryetarja e kuvendit me shumë të drejtë është që në fund të seancës pasi të shpërndahet tek të gjithë deputetët drafti i propozuar, sepse e ka të përcaktuar rregullorja si bëhet. Njohja me drafte bëhet në komisione o deputetë. Ju e doni përpara, do ta merrni përpara. Nuk ka asnjë shkelje të rregullores. Tani problemi këtu është jeni kundër kësaj nisme? Do shpreheni pas dy javësh, por sa i përket procedurës, procedura është shumë e qartë. Qytetarët presin. Unë të isha në opozitë do ngrija dy kartonë, jo një karton. Kjo është diçka që lidhet drejtpërsëdrejti me qytetarët. Procedura është shumë e qartë. Kjo është çudia e madhe. Nuk ka ndodhur sapo depozitohet një nismë ta kërkojnë gjithë deputetët. E kërkuat. Do ta keni sic tha kryetarja”, u shpreh Balla./tvklan.al