Më shumë se 1 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve mes forcave të sigurisë dhe luftëtarëve të sektit alavit të ish-presidentit Bashar Al Assad. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut bën me dije se në mesin e viktimave janë 745 civilë, 125 anëtarë të forcave siriane të sigurisë dhe 148 luftëtarë besnikë të Assadit.

Banorët e fshatrave dhe qyteteve ku banojnë alavitët e Assadit bëjnë me dije se persona të armatosur hapën zjarr ndaj tyre në rrugë. Shumë shtëpi thuhet se u plaçkitën dhe më pas u dogjën në zona të ndryshme.

Baniyas është një nga qytetet më të goditura nga dhuna. Banorët e këtij qyteti thonë se sulmet janë një hakmarrje ndaj pakicës alavite për mizoritë e kryera nga regjimi i Assadit. Udhëheqësi sirian Ahmed Sharaa bëri thirrje për paqe duke u shprehur se “ajo që po ndodh aktualisht në Siri është brenda pritshmërive të tij.”

Përleshjet që shpërthyen të Enjten përbëjnë sfidën më të re të qeverisë së në Damask, 3 muaj pasi kryengritësit morën pushtetin dhe rrëzuan regjimin e ish-presidentit Bashar al-Assad. Ky i fundit u rrëzua pasi grupi Hayat Tahrir al-Sham organizoi një ofensivë të befasishme në fillim të Dhjetorit, duke i dhënë fund mandatit të tij 24-vjeçar dhe më shumë se 5 dekadave të sundimit të familjes Assad.

Tv Klan