Dinamo kërkon të hedhë pas krahëve humbjen me Egnatian dhe të rikthehet te fitorja në kampionat. Blutë e kryeqytetit do të përballen me Bylisin, një kundërshtar që u ka hapur probleme këtë sezon.
Dinamo nuk njeh ende asnjë fitore ndaj ballshiotëve këtë sezon, por trajneri Ilir Daja mendon se ka ardhur koha për të marrë 3 pikëshin.
Sipas tij, Dinamo është brenda objektivave dhe kjo mund të shihet si diçka pozitive në këtë fazë të sezonit.
“Kur bëjmë një humbje, përbën lajm. Besoj kemi pasur arsye pse kemi pasur pak oshilacione. Po të shikosh tabelën e klasifikimit, janë të ngjeshura ekipet, të ndara në pjesa e sipërme, mesme dhe e poshtme e saj. Oshilacione kanë pasur të gjitha ekipet, edhe për shkak të ndeshjeve të ngjeshura.
Ajo që është pozitive për ne është fakti se vazhdojmë të jemi te pjesa e sipërme e tabelës. Kemi bërë një hap jo të mirë me Egnatian, por jemi brenda objektivave që ka klubi.
Gjithmonë përballjet me Bylisin kanë rezultuar jo të mira për ne. Është faza e fundit e kampionatit dhe të gjithë ekipet janë në objektiva. Është një fazë shumë e luftuar, na duhet të rikthehemi te fitorja. Do ta kemi të vështirë me Bylisin dhe duhet të jemi të përqendruar në 90 minuta dhe të gjithë bashkë në fazën e sulmit dhe të mbrojtjes.
Bylisin nuk e kemi mundur këtë sezon, është e vërtetë, por ka ardhur kohë që të shkojmë drejt marrjes së 3-pikëshit. Janë 5 skuadra që nuk na kanë mundur dhe përsëri raporti është pozitiv. Bylisi është një kundërshtar shumë i fortë”, deklaroi Daja.
Ndeshja Dinamo-Bylis do të luhet të Hënën duke nisur nga ora 17:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. /tvklan.al