Temperaturë që zgjat disa ditë, shoqëruar me dhimbje trupi, kollë e rrufë janë disa nga simptomat më të shpeshta të kujtdo që ‘është mbërthyer’ nga virozat. Mjekët pranojnë se janë më të ashpra sesa vitin e shkuar, por këshillojnë që të ndiqen “këshillat e gjyshes” për të shmangur spitalin në rastet jo emergjente.

Mjeku infeksionist Gent Stroni shpjegon në programin “Shije  Shtëpie” në Tv Klan se problematika nuk  është te simptomat, por te pacienti. Çdo organizëm reagon ndryshe dhe ata që po përjetojnë forma të rënda, duhet të kërkojnë patjetër ndihmë te mjeku.

Gent Stroni: Kur  flasim për viroza, ne e dimë sesi do të shkojë por gjithë problemi është trupi në të cilin ato bien, pra trupa të ndryshëm sillen dhe e pasqyrojnë, manifestojnë sëmundjen në forma të ndryshme dhe rrjedhimisht, këtu do të duhet të ndalojmë ose japim theksin sepse nëse një person po e kalon në formë relativisht të rëndë, do të duhet që të ketë nevojën e ndërhyrjes së mjekut.

Stroni këshillon që spitalet, si ambiente të tejmbushura me viruse, të shmangen sepse ka rrezik të lartë për transmetueshmëri nga një pacient te tjetri. Njëkohësisht, një pacient mund të infektohet nga viruse të ndryshme brenda një kohe të shkurtër.

Gent Stroni: Shpeshherë në shprehjet tona të përditshme ne themi që jo vetëm që më zgjati viroza,  por edhe m’u kthye. Në fakt e vërteta ësshtë ndryshe. Ne nuk është se kemi prekje nga e njëjta gjë në një periudhë të shkurtër kohore sepse në momentn kur ne kalojmë, por marr atë që është më e shpeshta në këto momente, po themi tipi AH1N1, momentin kur ti e kalon këtë, ke disa antitrupa që nuk do të kthehen në këtë dimër më, por në të njëjtën kohë ekzistojnë viroza të tjera siç është tipi B dhe konkretisht, tipi B është madje disi më agresiv dhe i zgjatur se tipi A dhe ti ke kapur një virozë tjetër sekondare dhe mund të ndodhë një virozë tjetër terciare. Në këtë lloj mënyre ne themi në shprehjen e përditshme që më zgjati ose m’u rikthye, por praktikisht janë tipe të ndryshme të virozave./tvklan.al