Me listën për partinë e tij, “Mundësia”,  Agron Shehaj është nisur nga filozofa e thjeshtë e një vizioni për njerëzit që do të besojnë se në Shqipëri mund t’ia dilet mbanë përmes punës së ndershme. Kështu e përkufizon ai strategjinë në një lidhje direkte me emisionin”Opinion” në Tv Klan.

Sa i përket koalicionit me PD, Shehaj thotë se ka pasur gjithnjë bindjen që s’duhet vetëm rotacion  politik, por edhe një ndryshim për të fituar mbështetjen e votuesve. Nisur nga sondazhet, Shehaj ka një plan mjaft ambicioz për partinë: hyrja në parlament me 7 deputetë. 

Blendi Fevziu: Sa vota ke marrë në 2021?

Agron Shehaj: 14 mijë më duket, të paktën aq më nxorën.

Blendi Fevziu: Sa deputetë  pretendon që mund të marrësh në këto zgjedhje, cila ka qenë filozofia?

Agron Shehaj: Filozofia ka qenë shumë e thjeshtë. Ka qenë rezultat i një vizioni që ne kemi, i një plani. Ne mendojmë që Shqipëria  do të bëhet një vend i pasur vetëm në momentin që shqiptarët do të shohin dhe do të besojnë se në Shqipëri mund t’ia dalin me punë të ndershme. Të gjithë ata që janë në listë po t’i shikosh, pjesa më e madhe janë sipërmarrës të mesëm ose të vegjël, njerëz qqë kanë kërkuar t’ia dalin me punë, nuk kanë kërkuar rrugë të shkurtra, nuk kanë kërkuar t’ia dalin në kurriz të shtetit nëpërmjet korrupsionit, aferave, mashtrimeve. Kjo është filozofia jonë.

Blendi Fevziu: Pse nuk pranove të ishe në koalicion me PD kur deklaoni që nevoja më e madhe e Shqipërisë është të largohet Rama?

Agron Shehaj: Jam i mendimit, sidomos kur më thuhet të bëj si të tjerët, gjëja e parë që shoh dhe mendoj është që çdo gjë që është bërë më përpara, çdo gjë që bëjnë të vjetrit s’duhet bërë. Çështja është pse nuk kam pranuar me PD? Unë edhe kur kam qenë brenda PD, kam qenë i bindur që ne s’duhet thjesht të luftonim për rotacion politik, Rama duhet të ikë, kjo s’ka asnjë diskutim, por ne duhet të luftonim që të  sillnim një ndryshim dhe vetëm në atë moment kur qytetarët shqiptarë të bindeshin që do të sillnim ndryshim, do të na mbështesnin.

Blendi Fevziu: Edhe ju, edhe Nisma Thurje apo Shqipëria Bëhet janë të sigurta që nuk mund të marrin 50% që të shkoni drejt ndryshimit. E vetmja gjë që mund të bënit është të krijonit  një mini-grup fillimisht që mund të rritet më pas sepse Albin Kurti priti 12 vjet në Kosovë që të merrte pushtetin, edhe pse ishte një figurë goxha e rëndësishme  politike.

Agron Shehaj: Nuk kam thënë ndonjëherë që ne do të marrin 71 deputetë në zgjedhjet e para. Unë kam thënë gjithmonë që ky është një projekt afatgjatë, që për ne gjëja më e rëndësishme dhe qëllimi kryesor,  ne sondazhet që kemi  bërë, që kemi porositur nga kompani prestigjioze na nxjerrin rreth 100% të votave.  Ne mendojmë dhe jemi të bindur që mund të arrijmë një rezultat historik, të hyjmë në parlament me një  grup parlamentar që do të thotë 7 deputetë. Do të ishte historike.

Blendi Fevziu: E vështirë shumë.

Agron Shehaj: Nuk është e pamundur.

Blendi Fevziu: Të pamundur s’ka asgjë por dhe shumë e mundur nuk duket..

Agron Shehaj: Nuk thashë që është e mundur. Thashë thjesht që sondazhet që ne bëjmë, që kemi porositur nga kompani serioze, të huaja na nxjerin me këtë rezultat. Kjo s’do të thotë që punën e kemi bërë dhe s’duhet të bëjmë asgjë, duhet të vazhdojmë të punojmë. Unë i pari dhe të gjithë ata që më janë bashkuar në lëvizjen politike që kemi krijuar, s’kemi zgjedhur të bëjmë gjëra të lehta./tvklan.al