Dosier-Në Dhjetor të vitit 1984, në një qytet relativisht verior si ai i Burrelit, Alfred Moisiu paraqitet në zyrën e pensioneve për të marrë librezën e pensionistit. Në atë moment, Alfred Moisiu nuk e dinte se një e ardhme e ndritur do të hapej përpara tij.

Një e ardhme që do të fillonte rreth 5-6 vite më pas, kur ai do të thirrej për t’u bërë Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Vilson Ahmetit. Karriera e tij do të vijonte më pas si Zv/Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të kulmonte me pozicionin e kreut të shtetit, kur në Qershor të vitit 2002 u bë President i Republikës.

Përmes emisionit “Opinion” të datës 29.12.2005, gazetari Blendi Fevziu trajton jetën dhe karrierën e Presidentit Alfred Moisiu.

Në një intervistë të dhënë në Dhjetor të vitit 2002, Presidenti Moisiu tregon se për të ka qenë surprizë propozimi për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes.

“Të them të drejtën kur dola në pension unë isha 55 vjeç, isha në kulmin e energjive të mia fizike dhe në kulmin e pjekurisë mendore. Unë lexoja shumë dhe kisha një bagazh shumë të madh, por kisha frikë të shkoja në bibliotekë, sepse nuk më lejohej. Kunata ime punonte në bibliotekën e Universitetit dhe më sillte libra në gjuhën ruse dhe italiane dhe kaloja kohën, por isha i detyruar që një pjesë të kohës ta kaloja edhe me pensionistët, sepse do të ngriheshin dyshime”,tha Moisiu.

Por shpeshherë, rastësia është mbret i fatit dhe Alfred Moisiu e vërteton më së miri këtë. Pas 6 vitesh të vështira dhe të tensionuara në pension në Burrel, ai rikthehet në Tiranë në fillim të vitit 1990, ku banonin fëmijët e tij. Pas zhvillimeve të vitit 1991 Alfred Moisiu, i cili kishte arritur shkallët më të larta të karrierës ushtarake deri më 1982, merr një kërkesë të papritur për t’u rikthyer si ministër, në Ministrinë nga e cila ishte larguar në 1982-shin. Ky do të ishte edhe momenti i kthesës së madhe në karrierën e Moisiut.

“Më ka marrë në telefon në atë kohë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kostaq Karoli dhe më tha: Vazhdon të jesh në parti ti? 

Jo, iu përgjigj. I thashë se kisha dorëzuar teserën e partisë. Ai më thirri në Kryeministri dhe më tha që kishin menduar të më propozojnë për vendin e Ministrit të Mbrojtjes. Ishte një propozim i papritur për mua. Më zgjodhi qeveria dhe isha ministër i qeverisë teknike. Unë nuk punova vetëm asnjëherë, por ajo qe një periudhë shumë e vështirë për ushtrinë shqiptare”,tha Presidenti.

Pasi Partia Demokratike fitoi zgjedhjet e 22 Marsit të vitit 1991, Alfred Moisiu spostohet në detyrën e Zv/Ministrit të Mbrojtjes. Këtë detyrë ai e vijoi për shumë kohë. Në vitin 1996, ai u bë kreu i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut të Veriut, e cila synonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai vijoi karrierën e tij intensive derisa u bë President i Shqipërisë.

Por cila ka qenë jeta e Presidentit të Shqipërisë duke filluar nga fëmijëria e tij?

Ai ishte djalë i një familjeje me tradita patriotike dhe ushtarake kavajase. Alfred Moisiu filloi herët karrierën e tij në ushtri. Ishte vetëm 7 vjeç kur hyri në rresht për herë të parë, në kazermën e Shkodrës. Babai i tij ishte major i Mbretit Zog dhe komandant i Korpusit të Veriut. Alfred Moisiu që në moshën 15-vjeçare qëndroi mjaft kohë pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan, ku gjendej në të njëjtën kohë edhe Enver Hoxha. Ai luftoi për pak kohë në radhët e formacioneve partizane, për të nisur më pas kundër dëshirës së babait karrierën ushtarake. Më pas ai u nis për shkollim në Moskë. Si një ndër oficerët më të lartë të ushtrisë, ai do të pësonte në vitin 1982 goditjen e madhe, një goditje nga e cila për fat do të shpëtonte pa u burgosur, apo eleminuar si shumë të tjerë.

Por për të e shkuara ka mbetur pas, me gjithë ulje-ngritjet e saj. Më 24 Qershor të vitit 2002, Alfred Moisiu votohet nga parlamenti si Presidenti i parë konsensual.

I ardhur në krye të shtetit shqiptar, si pasojë e një konsensusi politik midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Alfred Moisiu ka qenë edhe një lloj produkti politik i kompromisit mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës.

Por përtej postit të tij si kreu i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu, i mësuar me regjimin ushtarak, nuk kishte ndërruar asgjë nga stili i tij i jetesës. Ai zgjohej rreth orës 05:30 dhe fillonte atë që mund të quhej fiskultura e tij e mëngjesit. Më pas, pasi kthehej në shtëpi, hante mëngjes dhe rreth orës 08:30 nisej për në punë. Një nga elementët shumë të rëndësishëm që binte në sy ishte edhe ai që lidhej me mbrojtjen e Presidentit të Republikës, një element që jo gjithmonë është i dukshëm, por padyshim është i pranishëm. Ruajtja e Presidentit bëhet në formë rrathësh, duke nisur nga truproja, e deri tek ruajtja e afërt dhe ajo e vendit. Rojet e Gardës kqyrin të gjithë trajektoren, ku Presidenti lëvizte. Çdo President është i detyruar t’i nënshtrohet rregullave të Gardës së Republikës dhe strukturave të tjera që lidhen me sigurinë. / tvklan.al