Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka dhënë një prononcim për Klan News nga Kthesa e Kamzës aty ku ai ndodhet si pjesë e mosbindjes civile që po zhvillohet këtë të martë.

Bllokimin e rrugëve, Noka e sheh si një revoltë që kapërcen Sali Berishën dhe Ilir Metën, por bëhet për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë e vendit.

“Kjo mosbindje civile kjo revoltë nuk bëhet as për Sali Berishën, nuk bëhet as për Ilir Metën, nuk bëhet as për Ervin Salianjin, kjo bëhet për një kauzë më të madhe se kaq, kjo bëhet për shoqërinë shqiptare, për demokracinë e këtij vendi, kjo bëhet për Shqipërinë që të mos rrokulliset më keq se sa e ka rrokullisur këto 11 vjet Edi Rama. Kjo bëhet që Shqipëria të mos qeveriset nga mafia dhe krimi i organizuar, por nga shqiptarët. Kauza për të cilët jemi këtu kapërcen Berishën, kapërcen Metën, kapërcen Salianjin, kapërcen PD, kapërcen edhe opozitën që është më e madhe se ne të gjithë së bashku”, tha Noka.

Sipas Nokës, Rama duhet të gjejë një zgjidhje politike për shqiptarët.

“Qëllimi i kësaj forme të mosbindjes civile që kemi aplikuar ne është që qeveria, Edi Rama, të gjejnë një zgjidhje, t’i ofrojnë një zgjidhje shqiptarëve. Zgjidhja që duhet t’u ofrohet është zgjidhje politike. Nga kjo buron mosbindja civile e opozitës. Shqipëria sot është në ditën më të zezë të saj. Shqipëria ka nevojë për zgjidhje politike sepse shqiptarët nuk e gjejnë dot veten në vendin e tyre. Shqipëria ka nevojë për një pushtet që opozitën të mos e trajtojë si armike, por ka nevojë për një pushtet që kundërshtarin ta konsiderojë si kundërshtar politik dhe jo si armik”, tha Noka.

Sa i përket paralajmërimit se policia do ta konsiderojë vepër penale bllokimin e rrugëve, Noka u shpreh:

Me ligjin e protestave ne vetëm njoftojmë, nuk i marrim leje as kryenarkopolicit, as kupolës së narkopolicisë. Për sa kohë narkopolicia sheh të keqen te opozita i them e keqja është tek ju, tek ata që vjedhin. /tvklan.al