Deputeti i PD Edi Paloka përjashtoi çdo skenar të mundshëm dhune në protestën e kësaj të Marte. Sipas tij qëllimi i sotëm i opozitës është vetëm bllokimi i akseve rrugore.

“Nuk ka arsye pse të ketë agresivitet më të madh sepse qëllimi sot ka qenë vetëm bllokimi i akseve rrugore. Ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër përveç kësaj që kemi shpallur.”

Paloka foli edhe sa i takon paralajmërimit të Policisë për ndjekie penale në rast se pengohet lëvizja e qytetarëve.

“Nuk marim leje nga Policia që drejtohet nga dy persona të zgjedhur nga bandat. Nuk kemi marrë leje, kemi njoftuar Policinë për kohëzgjatjen e protestës. Ne jemi këtu jo për hatër të kësaj policie e qeverie, por për t’i hequr qafe këta! Kur nuk pyesin për ne, mendoni se pyesin këta për një qytetar të thjeshtë?! E keqja është në derë të të gjithëve. Kjo protestë me një orar të kufizuar është një lloj paralajmërimi. Është një nga mënyrat e mosbindjes civile”, deklaroi ai.

Ai la të hapur mundësinë për një bllokadë që zgjat më shumë në kohë në ditët vijuese.

“Nëse për 3 orë bllokohen rrugët, e merrni me mend çfarë ndodh nëse bllokohet për tre ditë… Jo vetëm rrugët, por edhe portet e aeroportet.”

/tvklan.al