Pasditen e 29 Tetorit Partia Demokratike ka paralajmëruar mosbindje civile për të paktën 3 orë. Duke nisur nga ora 17:00 mbështetësit e opozitës pritet të paralizojnë lëvizjen në të paktën 6 akse kryesore nga veriu në jug.
Në lidhje me këtë tubim ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Uniformat blu thonë se janë njohur me kërkesën e Partisë Demokratike dhe se policia garanton të drejtën për tubim, por pa cënuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Prandaj duke nisur edhe nga objekti i kërkesës së bërë, policia thotë se i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të makinave dhe qytetarëve. Prandaj sipas uniformave blu, bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe kush merr veprime për të bërë diçka të tillë do të ndëshkohet sipas pasojave që sjell shkelja e ligjit.
“Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private. Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njoftoi policia.
Policia thotë se ka marrë masa që në raste bllokimesh të devijojë qarkullimin e makinave në rrugë alternative. Po ashtu u bëhet thirrje qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Rinasit e që duhen në aeroport në orën 17:00, të mbërrijnë atje para kësaj ore, ose të përdorin rrugë alternative për të mbërritur në kohë.
“Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve”, njoftoi policia.
Kërkesa e Partisë Demokratike për protestë është bërë nga ora 17:00 deri në 20:00. Rrugët që pritet të bllokohen nga opozitarët do të jenë mbikalimi i Kamzës dhe i Shkozetit për rrugën Tiranë-Durrës, kryqëzimi i Milotit për rrugën Kashar-Milot, rrethrrotullimi i Bradasheshit për rrugën Elbasan-Tiranë, rrethrrotullimi i Rrogozhinës për rrugën Durrës-Fier dhe rrethrrotullimi i Levanit për rrugën Levan-Tepelenë./tvklan.al