Luçiano Boçi është vendosur në Milot në mosbindjen e sotme civile të Partisë Demokratike duke bllokuar rrugët. Qëllimi i opozitës, tha ai, është qeveria teknike. Ai u shpreh se më vonë do të ketë akte të tjera nga opozita që mund të jenë edhe më të gjata se 3 orë, madje mund të zgjasin me ditë.

“Është mosbindje civile e cila ka aktet e veta. Kjo mund të konsiderohet si akt protestues në kuadër të mosbindjes civile. Qëllimi final është rezultati i mosbindjes civile për të patur qeveri teknike, për t’i dhënë liri liderit të opozitës, për t’i dhënë fund inkuizicionit politik të opozitës me burgosje, me arrestime dhe me hetime që nuk qëndrojnë duke përdorur edhe këto organizatat politike në formën e institucioneve të drejtësisë. Ky akt proteste do të ndiqet më pas edhe nga akte të tjera. Kemi thënë sot 3 orë. Do të kemi më vonë dhe akte të tjera në vazhdimësi që do të jenë më të gjata se 3 orë. Mund të jenë edhe me ditë të tëra, me qëllim që tek e fundit t’i japim këtij vendi një qeveri teknike si elementin kryesor që realizon atë që qytetarët shqiptarë kërkojnë prej shumë vitesh, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Boçi./tvklan.al