Partia Demokratike zgjeron koalicionin zgjedhor me 3 parti të tjera. Kryeministri Berisha ka firmosur një marrëveshje me PBK, PLL  dhe PDI. Kreu i qeverisë tha, se PD ndan vlera të përbashkëta me këto parti për zhvillimin e vendit dhe realizimin e ëndrrës europiane të shqiptarëve dhe se këto marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkrimi i fitores të së djathtës.

Sali Berisha: “Ne firmosim sot një marrëveshje për të fituar së bashku, për të qeverisur së bashku. Ne ndajmë shumë vlera të përbashkët me PLL, ne besojmë se konsolidimi i këtyre vlerave që ne ndajmë është interesi më i mirë i Shqipërisë, rruga më e sigurt drejt realizimit përfundimtar të ëndrrës europiane të kombit shqiptar.”

Tre marrëveshjet u nënshkruan në prani të 3 kryetarëve të partive tashmë pjesë e koalicionit të djathtë Ekrem Spahia, Adriatik Alimadhi dhe Tahir Muhedini.

Ekrem Spahia: “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje sot nënkupton dhe kemi bindjen e plotë që do të jetë edhe nënshkrimi i fitores në zgjedhjet e 28 qershorit.”

Adriatik Alimadhi: “Do t’i ftonim shqiptarët që në 28 qershor me ndërgjegje të qetë dhe të pastër dhe kombëtare të votojnë aleancën e djathtë.

Tahir Muhedini: “Shpreh kënaqësinë në emrin tim dhe në emër të partisë që drejtoj që ne sot firmosim koalicionin e fitores të 28 qershorit 2009.”/tvklan.al