Një 53-vjeçar është plagosur me armë gjahu në këmbë nga një 32-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Ndërkohë falë mobilizimit në kohë rekord të uniformave blu, është bërë i mundur arrestimi i 32-vjeçarit, të cilit policia i ka gjetur dhe sekuestruar dhe armën e krimit. 53-vjeçari i plagosur është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu është proceduar penalisht edhe një 35-vjeçar për moskallëzim të krimit.
“Plagosi me armë gjahu një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori. I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Gjatë operacionit policor të koduar “Reagimi”, Policia i gjeti në banesë autorit të dyshuar një armë zjarri automatike me silenciatorë, armën e gjahut me të cilën dyshohet se plagosi 53-vjeçarin dhe municion luftarak. Arma e zjarrit me silenciator u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim të mëtejshëm, për të parë nëse kjo armë është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Procedohet penalisht dhe një 35-vjeçar, për moskallëzim të krimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, i dëmtuar në këmbë, dyshuar me armë gjahu, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”. Si rezultat i operacionit, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit I. D., 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu shtetasin B. B., 53 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Më tej, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al