Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, foli për gjendjen e lojtarëve të Shqipërisë, në prag të grumbullimit për dy ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Në konferencën për shtyp, tekniku kuqezi u ndal tek Armando Broja dhe Ardian Ismajli, të cilët kanë vuajtur dëmtimet kohët e fundit. Silvinjo tha se dy futbollistët janë rikuperuar plotësisht, por gjendja e tyre do të shihet nga afër.

“Ne kemi punuar për më shumë se 10 ditë me Ismajlin dhe Brojën. Të dy janë jashtë për kohë të gjatë. Ismajli ka përsëritje të dëmtimit. Borja është rikuperuar. Të dy janë grumbulluar me skuadrat e tyre. Kur të vijnë do të bëjmë një rivlerësim për gjendjen e tyre. Ne kemi 3 muaj e gjysmë pa i parë lojtarët. Të mungon fusha dhe stërvitja në këto raste. Fusha është ajo që të mungon. Ne do të bëjmë vlerësimet në ditët në vijim.”

Trajneri i Kombëtares foli edhe për risinë në listë, Etnik Brrutin. Në lidhje me polemikat për zgjedhjen e Shqipërisë nga mesfushori, Silvinjo tha se i takon lojtarit të vendosë për kombëtaren që përfaqëson. Braziliani zbuloi edhe arsyen përse e ftoi, duke thënë se te kuqezinjtë mungojnë mesfushorët dhe sulmuesit e krahut të djathtë, që luajnë me këmbën e majtë.

“Jemi një trup që bëjmë vlerësimet e lojtarëve shqiptarë. Brrutin e kemi vënë re, me statistikat që ka. Është një lojtar që na mungon, pasi luan me të majtën. Nga ana e djathtë nuk kemi shumë opsione. Rikthehet Pajaziti, i cili mund të bëjë 2-3 role. Brruti është me këmbën e majtë dhe e meriton të vijë. Në mesfushë kemi mungesë në krahun e djathtë. Uroj të japë diçka për ekipin. Sa i përket polemikave dhe debateve, përgjigjja është e lojtarit për kombëtaren që do të luajë. Puna që ne bëjmë, është e lidhur me presionin. Puna jonë është që t’i japim mbështetje gjithmonë.”

Silvinjo deklaroi se Botërori është ëndërr e bukur dhe lojtarët duhet të luajnë me zemër dhe shpirt në fushë.

“Janë kompeticione të ndryshme dhe kemi kundërshtarë ndryshe. Është një ëndërr e bukur për të shkuar në Botëror. Është e vështirë, por e bukur. Duhet të bëjmë ndeshje të mira dhe të marrim pikë. Është një grup i vështirë. Nuk mund të mungojë shpirti dhe zemra e ekipit. Në fushë duhet luash me shpirt dhe zemër”, u shpreh Silvinjo.

Shqipëria ndodhet në grupin K së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. /tvklan.al