“E kthyer tashmë në traditë, Tirana dhe Elbasani janë dy kryeqendrat festive për Ditën e Verës. Bashkia e Tiranës ka vendosur që në qendër të sheshit “Skënderbej” për herë të parë të vendosë 4 balona me ajër duke u kthyer në atraksion për të gjithë qytetarët të cilët do të zbresin në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit për të festuar Ditën e Verës. E po ashtu aktivitetet nuk do të mungojnë edhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri në afërsi të sheshit “Nënë Tereza”. Do të jenë aktivitete të shumta argëtuese për të gjitha grupmoshat”, raporton gazetarja Erikleda Dorezi.

Aktivitet nisin në orën 9:00 deri në 22:00 të mbrëmjes ku përfshihen banda e qytetit e cila do të performojë marshe të njohura në lëvizje, ekspozita e makinave retro, yoga, animatorët për fëmijët, panair libri, markete për fëmijët, punime të artizanëve, agroturizëm, sport dhe aktivitete të ndryshme.

Ndonëse do na mungojnë rrezet e diellit, dita e premte do të jetë me temperatura të larta dhe masë ajrore afrikane.

“Nuk do të ketë reshje shiu, moti do jetë i vrenjtur, por temperaturat do jenë të larta”, tha sinoptikania Lajda Porja.

Për shkak të aktiviteteve festive, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do te ndalohet qarkullimi i automjeteve deri në orën 16:00, ndërsa në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” deri në orën 23:00 të mbrëmjes.

Tv Klan