Burokratik dhe jo të aftë t’i përgjigjet strategjikisht nevojave të kohës, e ka cilësuar BE kryeministri Edi Rama në konferencën e Sigurisë në Mynih. Duke folur mbi procesin e zgjerimit, Rama tha se BE duhet të shtojë ritmin për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se tashmë po përballet dhe me kërcënime tregtare nga SHBA.

“Europa duhet të ndajë mendjen për atë çfarë po ndodh, sepse ka ndryshuar sa i takon qëndrimit kundrejt nesh, ka ndryshuar sa i takon ritmit të përafrimit me Ballkanin Perendimor. Por ajo çfarë po ndodh është që ndryshon shumë ngadalë dhe shumë pak.  Ajo çfarë është jashtë BE, nuk mund të jetë një hapësirë që mund ta marrë kushdo, por vetëm BE. Ballkani Perëndimor duket si tek Parku i Europës, një vend ku mund të ndodhin shumë gjëra. Ka shumë njerëz që ndihen sikur diçka ka shkuar shumë keq, është mundësi për tu zgjuar, për të nisur vrapin, për të marrë atë çfarë ka humbur gjatë këtyre viteve, me kaq shumë rregullore, kaq shumë bisedime dhe kaq pak veprim. Ideja është e një përfarimi më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, shprehet Kryeministri Rama.

Rama thotë se Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor më shumë sesa ky i fundit ka nevojë për BE-në.

“BE ka nevojë për ne më shumë se sa kemi ne nevojë për ta. Jo vetëm Ballkani Perëndimor, por për të gjitha vendet që nuk janë pjesë e unionit. Sepse ne jemi mësuar të mbijetojmë, ne jemi mbijetues, çfarëdo që të ndodhë do vazhdojmë të jemi këtu prandaj luftojmë me grekët se kush është më i vjetri në kontinent, kemi parë kaq shumë të ikin e të vijnë. Nëse BE do të dojë të dalë nga gjitha këto kriza duhet të bashkohet si Europë. Amerika pa Europën është thjesht një ishull, Europa pa Amerikën është një gadishull. Ai ishull e ky gadishull duhet të jenë bashkë, që sherif në atë ishull të marrë seriozisht BE. BE duhet të bëhet më e fuqishme dhe shifrat kanë vlerë për sherifin. Ne duhet të shfaqemi te dera e shefit si treg 700 milionësh në të kundërt jemi të disfavorshëm të përfaqësohemi, si priftërinjtë në Kostandinopojë që kur muret po binin ata kishin diskutim shumë të rëndësishëm për seksin e engjëjve”, theksoi Rama.

Nëpërmjet batutave ironizoi procesin e vonuar të zgjerimit të BE, ndërsa pati dhe një koment për deklaratat e zv.Presidentit të SHBA-së, JD Vance edhe pse nuk e përmendi emrin e tij.

“Ajo çfarë di është që kur e nisëm këtë proces i kisha të gjitha flokët e zeza dhe mjekrën shumë herë më të shpeshtë, por duke qenë një dashamires i Netflix, do thoja që pas asaj që kam parë këto dy ditë nën këtë çati ishte e jashtëzakonshme dhe për këtë Netflix mund të bëj dy seriale, një për BE dhe njëri për SHBA. Ai për BE do ishte pacienti me 27 mjekë, ishin 28 por njëri u çmend dhe u largua. SHBA do ishte shfaqja me një sherif. Ajo çfarë po ndodh edhe një gjë jashtë mase e mirë, se paku sepse e shoh nga ajo pjesë e Europës që nuk është BE. Ne jemi E pa B. I shohim gjërat pak të ndryshme. Europa duhej të shkundej në një mënyrë të tillë, që të humbte gjumin për ca kohë dhe tashmë të shohim çfarë do të dalë nga kjo”, thotë Rama.

Foli edhe për rritjen investimeve në fushën e mbrojtjes të vendeve europiane.

“Ekziston një paradoks që duket se askush nuk po mendon për të. Ka një nxitim për të investuar ne mbrojte, por cila është përgjigja ndërkohë. Që ndërkohë që fuqi të tjera investojnë në mbrojtje, kanë norma të larta të rritjes ekonomike, gjë që Europa nuk e ka. Ku do t’i gjejë Europa paratë. Nuk kam dëgjuar gjë më të marrë, kur thonë që duhet lënë mënjanë arsimi për shembull që të mbijetojmë. Nëse çmimi për të pasur më shumë mbrojtje është të shndërrohemi në kontinent injorantësh më mirë të vijnë të na pushtojë dikush. Shqipëria ka qenë gjithmonë gati të pushtohet nga SHBA apo BE por kurrë nuk kanë dashur të na pushtojnë”, deklaroi Rama.

Për kryeministrin Rama zgjedhja e Donald Trump si presidenti i SHBA, është një shans që Europa të zgjohet.

“Zgjedhja e Trump është akti më bujar i Zotit, kundrejt BE për ti dhënë një shans Europës të zgjohet dhe Europa duhet së pari të mos jetë kaq vetërefrente. Jam dakord që vlerat që i bëjnë bashkë shtete anëtarët duhet të mbeten të tilla, por nuk duhet të jenë kushtëzime për të pasur miq. Ne duhet të mësojmë të jemi miq me të tjerët edhe pse ta mund të kenë vlera të ndryshme, mendime të ndryshme se si duhet bërë jeta”, theksoi kreu i qeverisë.

Kreu i qeverisë thekson se bashkëpunimi BE dhe SHBA ndihmon edhe Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer pengesat ekonomike apo legjislative për të qenë pjesë e unionit sa më shpejt.

Klan News