Raportim Live
20:05, 23 Dhjetor 2024

Përfundon protesta e opozitës, çfarë ndodhi

Opozita protestoi sërish sot në Tiranë në kuadër të mosbindjes civile ku bllokoi për tre orë pesë kryqëzime kryesore në kryeqytet.

Protesta nisi e qetë, teksa për herë të parë mori pjesë edhe kryedemokrati Sali Berisha i cili ka qenë në arrest shtëpiak.

Në orën 17:00, protestuesit bllokuan kryqëzimet në sheshin “Wilson”, rrugën e Elbasanit, “Zogun e Zi”, “Pallatin me Shigjeta” dhe te rruga te Bashkia e Tiranës.

Gjatë zhvillimit të protestës pati përplasje edhe me policinë, e cila e konsideron vepër penale bllokimin e rrugëve. Ndërkohë, PD akuzoi Policinë e Shtetit se dhunoi deputetin Agron Gjekmarkaj, i cili humbi ndjenjat te “Pallati me Shigjeta”.

Sali Berisha e nisi protestën në rrugën e Elbasanit dhe më pas shkoi në 3 pika të tjera, Bashkia e Tiranës, “Zogun e Zi” dhe tek sheshi “Wilson”. Ishte parashikuar që të shkonte edhe tek “Pallati me Shigjeta”, por tha se do të shkonte në spital për të parë gjendjen e Agron Gjekmarkajt.

Pas përfundimit të protestës, të gjitha kryqëzimet u liruan për qarkullimin normal të automjeteve.

Ju mjafton vetëm të shfletoni më poshtë për t’u njohur me të gjitha zhvillimet nga protesta sot. Ndërkohë ne në Tvklan.al ju përshëndesim dhe po e mbyllim këtu këtë raportim live, për të qenë pranë jush me të tjera ngjarje të rëndësishme në ditët në vijim.

19:52, 23 Dhjetor 2024

“Nuk kam dalë aty me u pa me ju”, momenti kur shoqërohen dy protestues

Ka edhe të shoqëruar. Këto janë pamjet që ka siguruar gazetari Enkel Xhangoli teksa dy tubues shoqërohen nga efektivë të policisë, mes tyre edhe civilë.

“Kam dalë për protestë, nuk kam dalë aty me u pa me ju”, dëgjohet të thotë njëri prej tyre.

“Më lëshoni”, thotë një tjetër.

Kujtojmë se policia e konsideron vepër penale bllokimin e rrugëve.

19:47, 23 Dhjetor 2024

“Agron, Agron!!”, momenti kur Gjekmarkaj nuk ndihet mirë gjatë protestës

Në këtë video, shfaqet momenti kur nënkryetarit të Partisë Demokratike Agron Gjekmarkajt i ka rënë të fikët. Ai ndodhej tek Pallati me Shigjeta duke protestuar në kuadër të mosbindjes civile.

19:44, 23 Dhjetor 2024

Hapet qarkullimi te sheshi “Wilson”

Pas fjalës së Berishës, edhe protestuesit janë larguar nga sheshi “Wilson”. Kjo do të thotë që qarkullimi aty është i hapur tashmë.

19:35, 23 Dhjetor 2024

Berisha niset drejt spitalit: Po shkoj të shoh Gjekmarkajn

Pasi u dha qytetarëve “porosinë” për të gjuajtur me vezë e domate kundërshtarët politikë, kreu i PD-së Sali Berisha u nis drejt spitalit për të parë gjendjen shëndetësore të Agron Gjekmarkajt. Ky i fundit ka humbur ndjenjat sot në protestë, ndërsa opozita pretendon se është dhunuar nga Policia e Shtetit.

19:34, 23 Dhjetor 2024

Berisha-demokratëve: Kudo që t’i shihni përgjigjuni Ramës dhe Hoxhës me vezë e domate

Në fjalën e tij para mbështetësve në sheshin “Wilson”, Berisha i falenderoi ata dhe tha se sot “morën Tiranën në duart e tyre”.

Po ashtu theksoi se demokratët në të gjithë Shqipërinë duhet të gjuajnë me vezë dhe domate kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Ervin Hoxha sapo t’i shohin si një përgjigje për dhunën ndaj Gjekmarkajt.

“Ftoj demokratët në Tiranë dhe Shqipëri t’i gjuajnë kudo që ti shohin këta kriminelë të qeverisë me vezë dhe domate në çdo rast. Kjo kërkon që sapo t’ja u shihni makinat e tyre ose ata vetë, drejt tyre breshëri vezësh dhe domatesh. Duhet të marrin përgjigjen që meritojnë”, tha Berisha.

Ai u shpreh se PD po përgatitet për betejën në vitin e ardhshëm dhe theksoi se beteja do të vijojë gjer në fitore, që do të thotë, krijim i qeverisë teknike.

19:28, 23 Dhjetor 2024

“Do ta paguajnë”, Noka i revoltuar në protestë: Gjekmarkaj ndodhet në spital…

“Ndaloni dhunën!”, ishte kjo thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të PD Flamur Noka ndaj efektivëve të Policisë. Nga Rruga e Elbasanit ai deklaroi se akti ndaj nënkryetarit demokrat Agron Gjekmarkaj është banditesk dhe me urdhër politik.

“Jini të qetë se i shqetësuar është narko-shteti me narko-policinë! Jam këtu para jush për të dënuar aktin kriminal, banditesk të narko-policisë të urdhëruar direkt nga narko-kryeministri dhe narko-ministri dhe të zbatuar nga Proda dhe vasalët e tij, kundër nënkryetarit të PD zotit Gjekmarkaj...Lexo më shumë

19:11, 23 Dhjetor 2024

Hapet rruga te Bashkia e Tiranës

Rruga te Bashkia e Tiranës është hapur plotësisht.

Pjesa më e madhe e protestuesve aty u larguan së bashku me Sali Berishën, kur ky i fundit u nis drejt Zogut të Zi.

Kjo do të thotë që qarkullimi është hapur për makinat në këtë zonë.

19:09, 23 Dhjetor 2024

“Gjekmarkajt i ka rënë të fikët”, Berisha informohet live

Deputetja e PD-së Albana Vokshi e informoi live kryedemokratin Sali Berisha se nënkryetarit të kësaj force politike Agron Gjekmarkaj i ka rënë të fikët sot në protestë. Sipas saj, ai është goditur nga forcat e Policisë së Shtetit e për pasojë ka rënë në tokë. Berisha e dënoi këtë akt të cilin e cilësoi kriminal, duke thënë se do mbahen përgjegjës kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha…Lexo më shumë

19:07, 23 Dhjetor 2024

Berisha drejt sheshit “Wilson”

Gazetarja Glidona Daci raporton se kryedemokrati Sali Berisha është nisur drejt sheshit “Wilson”. Kujtojmë se aty situata është më e tensionuar pasi ka përplasje me policinë.

Berisha ka qenë deri më tani në Rrugën e Elbasanit, te Bashkia e Tiranës dhe Zogu i Zi për të përshëndetur protestuesit. Kjo është protesta e parë që Berisha merr pjesë për këtë vit, pasi ka qenë në arrest shtëpiak.

17:04, 23 Dhjetor 2024

Opozita në protestë, bllokon 5 kryqëzime në Tiranë. Përplasje edhe me policinë (Të gjitha zhvillimet)