Konferenca e Kryetarëve nuk ka pranuar kërkesën e 35 deputetëve të opozitës “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për projektin “Marina & Jahtet e Durrësit dhe Portin e ri Tregtar në Porto Romano”. Socialistët rrëzuan kërkesën për hetim një mbledhje të mbyllur dhe me debate të forta. Por të dyja palët kanë bërë publike argumentat e parashtruara.

Sipas shumicës, Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës e ka Gjykata Kushtetuese e cila do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në muajin Janar. Aq më shumë, siç ka deklaruar kreu i grupit socialist, në një periudhë zgjedhore që jo vetëm mund të përdoret politikisht, por nuk ka kohë fizike për një hetim 6-mujor.

“Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme. Periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara.”

Ndërsa Gazment Bardhi, refuzimin e mazhorancës për hetim parlamentar nuk e sheh vetëm si antikushtetues, por është dëshmi, shkruan ai në “X” se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve, por vetëm interesave të Kryeministrit, zëvendëses së tij dhe klientëve të tyre.

“Pse ka frikë nga transparenca, pse ka frikë nga hetimi parlamentar, pse pengon ushtrimin nga opozita të të drejtës së saj për kontroll parlamentar? Pengimi ka vetëm një qëllim: Të fsheh për pak kohë aferën korruptive të Portit të Durrësit, edhe pse ajo po del në sipërfaqe dita ditës. Përgjegjësit e kësaj afere do të mbajnë përgjegjësi të plotë.”

Gjithsesi, kërkesa e opozitës do të votohet edhe nga seanca plenare në sezonin e ri parlamentar që nis javën e tretë të Janarit.

Tv Klan