Opozita do të protestojë sot në orën 17:00 në Tiranë në kuadër të mosbindjes civile. Opozitarët kanë paralajmëruar se do të bllokohen disa rrugë të kryeqytetit.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, ka mësuar se akset që do të bllokohen do të jenë rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rrethrrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Willson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.

Ditën e djeshme, kryedemokrati Sali Berisha ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bëhen pjesë të mosbindjes civile.

“Të gjithë qytetarët e mbarë Shqipërisë vërshojnë në Tiranë në mosbindje civile për të dridhur themelet e narkoshtetit. Ju, keni epërsi të madhe, sepse gjatë këtyre 3 viteve ua keni bërë radiografinë dhe i keni nxirë para të gjithë shqiptarëve hajduta, ashtu siç janë”, deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve e konsideron këtë protestë “mosbindjen civile më të fuqishme që ka parë Tiranë ndonjëherë”./tvklan.al