Ministri pa portofol i Qeverisë serbe, Gjorgje Milliçeviç, ka nënshkruar në Banjallukë 13 kontrata për mbështetje financiare për projekte që synojnë “forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor serb” në Bosnje dhe Hercegovinë dhe entitetin serb, Republika Sërpska.
Mbështetja financiare kap vlerën prej 675 mijë eurosh, tha Qeveria serbe.
Kontratat u nënshkruan gjatë një takimi që Milliçeviç zhvilloi më 25 korrik me përfaqësuesit e “shoqatave serbe dhe organizatave joqeveritare nga Republika Sërpska dhe Bosnje e Hercegovina”.
Në njoftim u tha se “pjesa më e madhe e fondeve është destinuar për blerjen e pajisjeve për shoqëritë kulturore dhe artistike, për tekstet shkollore dhe tekstet e tjera për shkollat plotësuese serbe si dhe për pajisjet sportive për klubet serbe në diasporë”.
Pas nënshkrimit të kontratave, Milliçeviç tha se “interesat kombëtare dhe qëllimet e popullit serb në shekullin 21 janë paqja, stabiliteti ekonomia dhe mbi të gjitha uniteti”.
Ai tha se në kuadër të “kuvendit gjithëserb”, që u mbajt më 8 qershor në Beogradi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Republikës Sërpska, i cili nënkupton “forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijimin e lidhjeve edhe më të forta mes atdheut dhe serbëve që jetojnë jashtë Serbisë”.
“Unë gjithmonë them se Drina kurrë nuk ka qenë lumë që ndan Serbinë dhe Republikën Sërpka, por shtylla kurrizore që bashkon Serbinë dhe Republikën Sërpska”, tha Milliçeviç.
Në seancën e jashtëzakonshme, që nisi më 23 korrik, Parlamenti i Serbisë po debaton për “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të të ardhmes së përbashkët të popullit serb”. Deklarata, paraprakisht është miratuar nga Qeveria serbe.
Në këtë dokument, i cili po ashtu paraprakisht është miratuar nga Parlamenti i Republikës Sërpska, thuhet mes tjerash se populli serb përfaqëson një entitet unik.
Miratimi i këtij dokumenti u dënua nga anëtarët e Presidencës të Republikës Sërpska, Denis Beqiroviç, Zhellko Komshiç, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Pas mbledhjes së “kuvendit gjithëserb” në Beograd, Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje liderëve politikë në rajon “që të përdorim më mirë takimet e tyre për të promovuar stabilitetin dhe pajtimin rajonal”.
Bashkimi Evropian tha se sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues dhe identiteti ndërkombëtar i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të cenohet, duke shtuar se çdo veprim kundër këtyre parimeve do të çojë në pasoja të rënda./REL