Një urdhër ekzekutiv i firmosur nga Presidenti Donald Trump për të rishikuar të gjitha fondet që qeveria amerikane jep për agjencitë e saj në mbarë botën, ka prekur edhe Shqipërinë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara konfirmoi për Tv Klan se Departamenti i Shtetit po rishikon të gjitha programet e ndihmës që aplikohen prej tij ose nga USAID. Për këtë, ambasada solli si referencë deklaratën e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit.

Tammy Bruce – Zëdhënëse e DASH: Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për shqyrtim. Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agJendën “Amerika e Para”.

Nisur nga ky urdhër, mësohet se Ambasada Amerikane ka njoftuar qeverinë shqiptare dhe mbi 32 institucione në vend për pezullimin e ndihmës deri në një rishikim të dytë. Në bazë të urdhrit, siç shihet në këtë dokument, janë pezulluar përkohësisht financimet amerikane për 15 ministri dhe parlamentin.

Urdhri prek edhe sistemin e drejtësisë me Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, SPAK-un, të gjitha gjykatat si dhe komisionet që vijojnë të bëjë vetingun.

Fondet do të ngrijnë edhe për disa agjenci si Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, AKSHI, SASPAK duke u shtrirë edhe në pushtetin lokal.

Autoritetet amerikane kanë deklaruar se ngrirja e fondeve do të zgjasë për të paktën 3 muaj. Shtetet e Bashkuara shpërndanë pothuajse 70 miliardë Dollarë për 66 vende të botës gjatë vitit 2023.


INSTITUCIONET QË PREKEN:

1. Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare

2. Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

3. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

4. Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve

5. Ministria e Mbrojtjes

6. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

7. Ministria e Arsimit dhe Sportit

8. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

9. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

10. Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

11. Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor

12. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

13. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)

14. Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit

15. Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

16. Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij

17. Këshilli i Lartë Gjyqësor

18. Këshilli i Lartë i Prokurorisë

19. Gjykata Kushtetuese

20. Gjykata e Lartë

21. Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë

22. Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit

23. Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

24. Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

25. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm

26. Inspektori i Lartë i Drejtësisë

27. Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit

28. Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)

29. Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)

30. Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit

31. Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)

32. Të gjitha pushtetet komunale


/tvklan.al