Përmbytjet katastrofike kanë goditur Argjentinën. Shirat e fuqishëm përfshinë Bahia Blanca, një qytet port i madh që ndodhet në jug të provincës Buenos Aires, duke i kthyer lagje të tëra në ujë.
16 persona kanë humbur jetën dhe mbi 9 mijë kanë mbetur të pastrehë. Argjentina ka shpallur tre ditë zie kombëtare, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se numri i viktimave mund të rritet pasi ka disa të zhdukur.
Më shumë se 1,100 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe foshnjat e porsalindura u evakuuan nga spitalet.
Stuhia la pa energji një pjesë të madhe të zonës bregdetare, ndërsa deri më tani përmbytjet kanë shkaktuar 400 milionë Dollarë dëme në infrastrukturë.
Ndërkaq, përmbytjet e fuqishme si pasojë e ciklonit Alfred vijojnë të godasin pjesën lindore të Australisë.
Autoritetet kanë lëshuar një sërë paralajmërimesh për përmbytje në një shtrirje prej 400 kilometrash që përfshin Queensland deri në New South Wales.
Shërbimet e urgjencës shpëtuan 17 persona në Queensland. 12 ushtarë u plagosën kur automjeti i tyre u rrëzua pranë Lismore, rreth 200 km në jug të Brisbane, ndërsa ishin rrugës për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit. Dy ushtarë ende mbeten në gjendje të rëndë.
Mbiu 200 mijë shtëpi edhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të shtyllave të tensionit të lartë si pasojë e erërave të forta. Përmbytjet bllokuan rrugë, ndërsa imazhet në rrjetet sociale tregojnë makina të zhytura nën ujë. Në vetëm 24 orët e fundit autoritetet kanë rregjistruar mbi 150 incidente në juglindje të Queensland.
Asnjë fatkeqësi tjetër natyrore nuk ka krijuar një ndërprerje në përmasa të tilla të energjisë elekrtike në të gjithë historinë e shtetit. Kryeministri Anthony Albanese tha se situata në Queensland dhe në veri të Uellsit të Ri Jugor mbetet shumë serioze.
Klan News