Në episodin e sotëm të emisionit investigativ “STOP”, është denoncuar shkatërrimi pa kriter dhe ndotja që po i bëhet lumit të Tiranës, ku ky i fundit, prej kohësh është shndërruar në një “kosh të madh plehrash”.
Kamera e këtij programi ka udhëtuar nëpër disa zona të Tiranës, si Ferrasi apo në zonën e Ish – Uzinës së Tankeve, ku nëpërmjet pamjeve shihet qartë si firmat e inerteve, por jo vetëm, e përdorin shtratin e këtij lumi për të depozituar mbeturina.
E duket se të vetmit që përpiqen për të parandaluar hedhjen e inerteve janë vetë banorët, të cilët si në këtë rast, kanë përdorur shtylla prej druri dhe blloqe të mëdha betoni për të ndaluar kamionët, që tashmë e kanë bërë rrugë hedhjen e ngarkesave të tyre në këtë lumë.
Por një situatë e tillë alarmante shihet edhe në Komunën e Dajtit, në njësinë administrative Shish – Tufinë, ku disa firma ndërtimi hedhin mbeturinat e tyre pa kriter në lumë, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore.
Por përveç kthimit të shtratit të lumit në një vend grumbullimi, hedhjet e mbeturinave rrezikojnë dhe shembjen e një ure që ndodhet mbi lumë.
Banorët tregojnë se janë firmat e ndërtimit që punojnë në Tiranë, që e kanë shkatërruar lumin. Sipas tyre, kamionët që shkarkojnë, vijnë ditën dhe natën dhe askush nuk i ndalon.
Për këtë situatë, Administratori i kësaj njësie, Kujtim Qefalia, thotë se është kërkuar ndihmë nga organet kompetente, si Komisariati Nr 4 dhe Prefektura e Tiranës, nëpërmjet shkresave zyrtare.
Sipas tij, menjëherë pas kërkesave janë ngritur grupet e punës, policia së bashku me Prefekturën ka bërë të mundur ndalimin e këtij fenomeni për momentin dhe janë gjobitur firmat përkatëse.
Qefalia thotë se ka informacion se çështjet kanë vajtur deri në Prokurori.
Lidhur me emrat e subjekteve, që bëjnë këtë veprim të paligjshëm, Administratori përgjigjet se nuk mban mend emra specifikë të firmave./tvklan.al