8 Mars, këtë ditë kombëtare ku në qendër të së cilës vendoset figura e gruas emisioni “Rudina” në Tv Klan bashkë me panelin e të ftuarave vendosën që në sajë të historive personale të përcillnin mesazhe të vyera.
Të ftuarat në panel, duke treguar eksperiencën dhe rrugëtimin e tyre me shumë pengesa drejt suksesit e pavarësisë, u bënë këtë të shtunë zëri i të gjitha grave e vajzave të shoqërisë sonë shqiptare.
Lindita Shosha është një kirurge e përgjithshme me një karrierë të gjatë në fushën e mjekësisë. Sot ajo krenohet me punën, arritjet dhe jetët që ka shpëtuar me bisturinë e saj. Por, për të nuk ka qenë aq e lehtë sa ne mendojmë.
Në studio ajo tregon se i është dashur që të përballet me sfida të jashtëzakonshme në fillimet e profesionit. Profesion ku dominonin meshkujt. Mjekja tregon se i është dashur që të thyejë tabu të shoqërisë sonë. Ka bërë që të besonin tek aftësitë e një gruaje dhe të hidhte poshtë “pretendimet” që pacientët mund të operoheshin vetëm nga një mashkull.
Mjekja tregon se ka luftuar për arritjet e karrierën e saj, edhe pse i është dashur që të sakrifikonte nga jeta e saj, nga koha me nënën e fëmijët.
“Ekzistenca e gruas dhe suksesi i saj është një rrugëtim jashtëzakonisht i vështirë. Unë flas së paku për fushën time, ku më është dashur që të përballem me sfida të jashtëzakonshme saqë gati-gati të pamundura. Mjekësia, por kryesisht kirurgjia ka qenë dominancë e meshkujve dhe vetë mentaliteti i shqiptarëve ka qenë “operohem, por dua që të më operojë një burrë”, dhe ta përmbysësh këtë mentalitet e të krijosh një rrugëtim të suksesshëm, të jesh një personalitet ku njerëzit të besojnë jetën e tyre nuk ka qenë kaq e lehtë. Ka qenë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ama në këtë rrugëtim investimi ka qenë kolosal dhe mua më është dashur që të sakrifikoj shumë nga jeta ime, nga jeta e familjes sime e nga koha me nënën apo fëmijët e mi, përpos shumë barrierave pastaj nga më të jashtëzakonshmet. Megjithatë gratë duhet të luftojnë shumë për të krijuar emrin e tyre në jetë, për të krijuar identitetin e integritetin e tyre në jetë, sepse gratë i japin shumë shoqërisë. Unë mendoj se një shoqëri e cila e vlerëson gruan, pa e paragjykuar dhe në nivel të njëjtë me gjininë tjetër është një shoqëri më e civilizuar dhe më e arrirë. Ne duhet të punojmë akoma më shumë në Shqipëri, sepse kemi shumë barriera penguese për suksesin e grave dhe për vlerësimin real të tyre, të punës e kontributit, të cilat e kanë shumë më të vështirë këtë rrugëtim se sa meshkujt. Gratë kanë si barrë jo vetëm profesionin e tyre, por familjen, fëmijët e shumë të tjera”, tregoi mjekja./tvklan.al