Programi “Rudina” në Tv Klan këtë të shtunë u përqendrua tek dita ndërkombëtare e grave. Këtë 8 Mars të ftuarat në studio, u bënë zëri i shumë grave e vajzave shqiptare të cilat për një arsye apo për një tjetër e kanë të pamundur të ngrenë krye për të drejtat e tyre.

Aktivistja Sevim Arbana tha se sfidat e femrave janë shumë të mëdha. Përveç punës e profesionit ato japin një kontribut shumë të madh në familje e shoqëri, për të cilën vlerësohen pak ose më saktë aspak.

Ajo zhvendosi vëmendjen tek një forcë shumë e madhe e shoqërisë sonë shqiptare, tek gratë shtëpiake, për të cilat sipas aktivistet duhet të ngrihet politika të posaçme. Për këtë ajo u bëri thirrje të gjitha politikaneve që në foltoren e Parlamentit të përmbushin misionin e tyre për të përçuar zërin e problematikat e të gjitha grave shqiptare.

“Sfidat sot për femrat janë tmerrësisht të mëdha sepse kemi tema shumë të mëdha ne si feministe për të diskutuar. Puna e papaguar e grave në shtëpi, që ende nuk kemi bërë një ligj të posaçëm. Është mjekja, është avokatja, jam unë, janë sportistët, janë punëtoret, ato përtej detyrave të papara që kanë në profesionet e tyre dhe kontributet shkojnë në shtëpi dhe janë gra. Por, ku vlerësohet kjo punë?! Kemi dhe shtëpiaket me një lloj përçmimi që vjen nga shoqëria, por dhe nga vetë politika sociale e shtetit. Ne kemi lobuar prej 10 vitesh që të bëhet një ligj për këto. Kemi gra që nuk u jepen kredi financiare për të ngritur biznese, kemi gra që punojnë në informalitet, që punojnë në të zezë dhe është një numër rreth 65% e grave, që bëjnë një punë shumë herë më të madhe se sa burrat. Janë të gjitha këto problematika që mund të jenë subjekti i 8 Marsit, i ditëve të zakonshme, por dhe i një politike të përditshme të këtyre grave në Parlament, që fatkeqësisht nuk kanë zënë, për të përçuar zërin e gjithë kësaj mase të grave tona. Kemi sasinë, por nuk kemi cilësinë. Ne kërkojmë një zë që ajo deputete që vjen nga veriu të çojë atje gjithë zërin e grave veriore. Përtej partive gratë në Parlament nuk bëjnë aleanca. Ti nuk ke këtu me flamurin blu apo të kuq, je këtu me flamurin e një misioni që të ka dhënë populli”, tha aktivistja Sevim Arbana.

I ashpër ishte dhe reagimi i mjekes, e cila tha se historia e politikave shqiptare me çanta 20 mijë Euro në Parlament të marrë fund. Sipas Lindita Shoshës shoqëria jonë ka nevojë për njerëz të devotshëm që të përçojnë deri në fund misionin e tyre.

“Nuk kemi nevojë për gra që shkojnë me çanta 20 mijë Euro në Parlament. Kjo histori të marrë fund. Kemi nevojë për njerëz të devotshëm që të kenë zë e fytyrë dhe të përçojë misionin për të cilën janë mandatuar nga populli. Ky vizion i grave të përzgjedhura të marrë fund”, tha mjekja Lindita Shosha./tvklan.al